Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul u bëri thirrje sot vendeve të botës, të ushtrojnë më shumë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund bllokimit të eksportit të grurit ukrainas përmes Detit të Zi.
Wadephul e bëri këtë thirrje pas takimeve që zhvilloi në Vatikan.
“Duhet të sigurohemi, së pari, që Evropa të shprehet më fuqishëm për këtë çështje dhe, së dyti, që edhe vendet e Jugut Global të shprehin më qartë interesat e tyre”, tha ai.
Jugu Global përfshin vende të Amerikës Latine, Afrikës, Lindjes së Mesme dhe Azisë.
“Besoj se atëherë ekziston një mundësi reale për të arritur ende një zgjidhje”, tha Wadephul.
Ai paralajmëroi se koha po mbaron dhe se ekziston rreziku i urisë.
Sipas tij, gruri rrezikon të prishet nëse qëndron i bllokuar, gjë që do të shkaktonte një tjetër krizë të panevojshme.
Ministri gjerman ka paralajmëruar vazhdimisht se mund të ketë mungesë ushqimesh dhe uri në Afrikë dhe Amerikën Latine, nëse Rusia nuk i jep fund bllokimit të grurit ukrainas.
Wadephul foli për këtë çështje pas takimeve të veçanta me kardinalin Pietro Parolin, i cili është zyrtari i dytë më i lartë i Vatikanit, dhe me kryepeshkopin Paul Richard Gallagher, përgjegjësin e Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, që merret me politikën e jashtme të Vatikanit.
Gallagher tha se mbështet përpjekjet për t’i dhënë fund bllokimit të grurit ukrainas dhe se do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje në bisedimet e tij, përfshirë edhe bisedimet me Rusinë.
Në fund të gushtit, Gallagher i bëri thirrje ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov të zhvillojë negociata të vërteta, për të gjetur një zgjidhje, me mbështetjen e vendeve të tjera.
Wadephul diskutoi gjithashtu për rrezikun e urisë me Lavrov gjatë takimit që zhvilluan javën e kaluar në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ky takim, megjithatë, nuk solli ndonjë rezultat konkret.
Këtë javë, papa Leone XIV bëri sërish thirrje për përpjekje të reja ndërkombëtare, për të nisur negociatat që synojnë t’i japin fund luftës.
Vatikani e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por në të njëjtën kohë ka kërkuar të mbajë të hapura bisedimet me Moskën.
Ukraina është një vend prodhues dhe eksportues i rëndësishëm i grurit.
Një pjesë e madhe e grurit transportohet me anije përmes Detit të Zi drejt vendeve të tjera.
Për shkak të luftës dhe kufizimeve ruse në Detin e Zi, eksportimi i grurit ukrainas është vështirësuar ose bllokuar në periudha të ndryshme./mxh
