Një vizitë e zakonshme në një dyqan luksoz të Hermès në Berlin u kthye në një situatë të pazakontë për komedianen amerikane Zarna Garg, e cila pretendon se mbeti e bllokuar për rreth 80 minuta në tualetin e dyqanit.
Garg, e cila ndodhet në Berlin në kuadër të turneut të saj të komedisë ka ndarë në rrjetet sociale pamje dhe detaje nga incidenti, duke treguar se gjithçka nisi pasi dera rrëshqitëse e tualetit nuk u hap.
Fillimisht, situata iu duk komike. Sipas saj, ajo dhe ekipi i saj nisën të filmonin pritjen për t’u liruar, ndërsa Garg madje kaloi kohën duke bërë figura origami me peshqirët e letrës.
Por, ndërsa minutat kalonin, situata u bë gjithnjë e më shqetësuese.
Sipas rrëfimit të komedianes, stafi i dyqanit tentoi ta hapte derën me forcë. Ajo u kërkua ta shtynte derën nga brenda, ndërsa punonjësit përdorën një levë nga jashtë. Gjatë përpjekjes u aktivizua edhe alarmi i dyqanit.
Garg tha se kishte frikë se mund të lëndohej nga përdorimi i levës dhe se ekipi i saj u kërkoi punonjësve të telefononin zjarrfikësit. Sipas saj, stafi hezitoi fillimisht, duke pasur shqetësim për dëmtimin e derës.
Pas rreth 80 minutash, zjarrfikësit e Berlinit mbërritën dhe arritën ta nxirrnin nga tualeti.
Por për Garg, incidenti nuk përfundoi me shpëtimin. Komedianja pretendon se, pasi doli nga tualeti, askush nga stafi nuk i kërkoi falje dhe as nuk i dha një shpjegim për atë që kishte ndodhur. Në vend të kësaj, një punonjës iu afrua me një shishe shampanjë, të cilën ajo dhe ekipi i saj e refuzuan.
Në fund, komediania e përshkroi përvojën me një koment tejet kritik ndaj dyqanit, duke e cilësuar si histori të një “çante të padobishme, një dere të padobishme dhe njerëzve të padobishëm”.
Postimi i saj ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë argumentuar se një kërkimfalje dhe një shpjegim do të ishin më të përshtatshme sesa një shishe shampanjë./kb
