YouTube po ndryshon mënyrën se si llogariten shikimet në platformë, një vendim që pritet të rrisë ndjeshëm numrat e videove dhe të krijojë një panoramë krejt tjetër për performancën e përmbajtjeve.
Sistemi i ri, të cilin YouTube e përshkruan si një model të bazuar te “ekspozimi”, do të aplikohet në të gjitha formatet e përmbajtjes: nga videot e shkurtra dhe ato të gjata, te podcastet dhe transmetimet live.
Sipas rregullit të ri, një shikim do të regjistrohet që në momentin kur nis të shfaqet kuadri i parë i videos. Kjo do të thotë se përdoruesi nuk do të duhet domosdoshmërisht të qëndrojë për disa sekonda duke parë përmbajtjen që ajo të regjistrohet si një “view”.
Ndryshimi vlen për videot e publikuara pas 24 gushtit. Përmbajtjet e ngarkuara më herët do të ruajnë numrin e tyre ekzistues të shikimeve, ndërsa shikimet e reja do të regjistrohen sipas sistemit të ri.
YouTube e justifikon vendimin me nevojën për të pasur një mënyrë më të unifikuar të matjes së shikimeve në të gjithë platformën. Kompania synon që përdoruesit dhe krijuesit të mos përballen më me standarde të ndryshme në varësi të formatit të videos.
Një ndryshim i ngjashëm ishte aplikuar më herët te YouTube Shorts. Në mars të vitit të kaluar, platforma nisi t’i numëronte shikimet që nga kuadri i parë, duke raportuar një rritje prej rreth 70% të numrit të views në videot e shkurtra.
Tani, i njëjti parim po zgjerohet edhe në pjesën tjetër të platformës.
Megjithatë, rritja e numrit të shikimeve nuk do të thotë automatikisht më shumë të ardhura për krijuesit. YouTube do të vazhdojë të përdorë një tjetër metrikë për të përcaktuar shikimet që kanë rëndësi për monetizimin. Kjo metrikë do të quhet “shikime të angazhuara” dhe do të bazohet në kohën që përdoruesi realisht kalon duke parë videon.
Pra, ndërsa numri i views që shfaqet publikisht mund të rritet ndjeshëm, mënyra se si llogariten të ardhurat nga reklamat mbetet e pandryshuar.
Ky detaj është veçanërisht i rëndësishëm për krijuesit, pasi numri i shikimeve përdoret jo vetëm për të matur suksesin e një videoje, por edhe në negociatat me kompanitë dhe markat për bashkëpunime dhe sponsorizime.
Në këtë mënyrë, një video që duket se ka performuar shumë më mirë mund t’i japë krijuesit një pozicion më të favorshëm në negociatat komerciale, pa qenë e nevojshme që YouTube të paguajë më shumë.
Ndryshimi synon gjithashtu ta afrojë YouTube me platformat e tjera sociale, si TikTok dhe Instagram, ku shikimet janë prej kohësh të lidhura me nisjen e menjëhershme të videos.
Në fund, përdoruesit do të shohin numra më të mëdhenj pranë videove, ndërsa krijuesit do të kenë një tjetër mënyrë për të matur ekspozimin e përmbajtjeve të tyre. Por për sa i përket pagesave nga YouTube, rregullat mbeten pothuajse të njëjta./mxh
