Është bërë së fundmi publik raporti përfundimtar i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Dokumenti, i dakordësuar mbi një draft të Komisionit Europian dhe i shoqëruar me raportin e vlerësimit të piketave të ndërmjetme (IBAR), përmbledh progresin e deritanishëm të vendit në përmbushjen e detyrimeve të integrimit.
Në këtë raport evidentohen kritikat e ashpra të BE, e cila shpreh keqardhjen dhe i kërkon Shqipërisë që të adresojë përpjekjet në rritje dhe shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ata në nivele të lartë për të ushtruar ndikim të tepruar mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK.
Po ashtu theksohet se Shqipëria duhet të adresojë sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke nënvizuar se KLGJ dhe KLP duhet të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve ndaj gjyqësorit nga përfaqësuesit e degës ekzekutive ose legjislative.
“BE-ja shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë që të adresojë në mënyrë efektive përpjekjet në rritje dhe shqetësuese nga zyrtarët publikë ose politikanët, përfshirë ato në nivele të larta, për të ushtruar ndikim të tepruar mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë Strukturën e Specializuar Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të forcojë më tej qëndrueshmërinë e institucioneve të drejtësisë ndaj rasteve të ndërhyrjes së brendshme dhe të jashtme, duke përfshirë sigurimin që KLGJ dhe KLP të vazhdojnë të reagojnë me vendosmëri ndaj sulmeve ndaj gjyqësorit nga përfaqësuesit e degës ekzekutive ose legjislative”, thuhet në raport./mxh
