Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka folur lidhur me raportin e IBAR, ku shprehet se të gjitha shqetësimet e ngritura në raport janë të njëjtat me ato që ka ngritur opozita prej vitesh.
I ftuar në “Task Force” në Syri Tv, Këlliçi tha se ndryshe nga raporti i shkurtit nga ky raport përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare.
Ai tha se për herë të parë një raport të tillë, listohet si kusht për mbylljen e grupkapitujve, krijimi i një terreni të barabartë për forcat politikë që garojnë në zgjedhje.
Ndërsa e ka cilësuar si një fitore edhe për opozitën, ai shton se kjo situatë duhet të konkludohet me një produkt final që sipas tij është qeveria teknike.
“Të gjitha këto shqetësime të ngritura në raport janë shqetësime të ngritura nga PD. Opozita ka kërkuar me përpikmëri të gjitha këto rekomandime që janë listuar në raport. Kur flasim për keqardhje për vendimmarrje të Kuvendit, sigurisht e kanë fjalën për testin kritik “Balluku”.
PD ja ka dalë që në këtë ndryshim të këtij raporti të majit në krahasim me shkurtin, të përfitojnë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare. Kushtet e vëna për mbylljen e kapitujve kanë të bëjnë me shqetësimet që ka opozita sot dhe shqetësimet kryesore për demokracinë në vend.
Sa i përket zgjedhjeve për herë të parë përmenden rrjetet e patronazhimit dhe krijimi i terrenit të barabartë në zgjedhje për forcat politike. Për herë të parë ky është një kusht për mbylljen e grupkapitujve. Raporti i shkurtit ka qenë me ngjyra pozitive për qeverinë në raport me realitetin që është këtu.
Në këtë raport flitet për të gjitha problematikat që kemi ngritur ne prej disa vitesh. Flitet për integritetin e policisë së shtetit. Ne nuk mund ta kalojmë këtë situatë sikur është një periudhë muaji mjali me mazhorancën, por duhet që PD të arrijë fitoren, qeverinë teknike. Kjo është sprovë zjarri për PD. Kjo është lajm i mirë, arritje për qytetarët shqiptarë, por nuk mund ta konkludojmë këtë histori pa produktin që janë qeveria teknike”, tha Këlliçi. /mxh
