Një sinjal radio i zbuluar në hapësirën e thellë i ka çuar astronomët drejt një zbulimi të rëndësishëm: për herë të parë, studiuesit raportojnë emetime radioje që duket se vijnë drejtpërdrejt nga një planet jashtë Sistemit Diellor. Bëhet fjalë për Beta Pictoris b, një ekzoplanet gjigant që ndodhet rreth 63 vite dritë larg Tokës dhe ka një masë afërsisht 12 herë më të madhe se ajo e Jupiterit. Zbulimi u bë me ndihmën e radioteleskopit MeerKAT, në Afrikën e Jugut, i cili regjistroi emetime radioje të përsëritura dhe të polarizuara fort në mënyrë rrethore, në frekuenca nga 0,85 deri në 3,5 GHz.
Rëndësia e zbulimit qëndron te fakti se pozicioni i burimit të këtyre emetimeve përputhet me vetë planetin dhe jo me yllin rreth të cilit ai rrotullohet. Kjo u jep studiuesve mundësinë të hetojnë drejtpërdrejt disa nga vetitë fizike të një ekzoplaneti kaq të largët. Sinjalet nuk lidhen me një mesazh të mundshëm nga jashtëtokësorët. Sipas shpjegimit shkencor, ato janë emetime natyrore radioje që lidhen me fushën magnetike të planetit. Një fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe në planetë të Sistemit Diellor, veçanërisht te Jupiteri.
Si mund të ndihmojnë sinjalet në studimin e planetit?
Studiuesit besojnë se ky lloj rrezatimi mund të shërbejë si një sondë për të studiuar fushën magnetike të Beta Pictoris b. Mekanizmi që mendohet se qëndron pas emetimeve quhet maser ciklotron elektronik. Ai ndodh kur elektronet energjike bashkëveprojnë me fushën magnetike dhe prodhojnë valë radioje. Frekuenca më e lartë në të cilën zbulohet emetimi mund t’u japë shkencëtarëve të dhëna për forcën e fushës magnetike në zonën ku prodhohet rrezatimi.
Bazuar në këtë interpretim, studiuesit vlerësojnë se fusha magnetike në atë rajon është të paktën rreth 1,25 kilogauss (kG). Megjithatë, kjo vlerë nuk përfaqëson një matje të drejtpërdrejtë të të gjithë fushës magnetike të planetit, por një kufi minimal të vlerësuar për zonën nga e cila vjen rrezatimi. Zbulimi mund të hapë rrugë të reja për studimin e fushave magnetike të ekzoplaneteve dhe për të kuptuar më mirë vetitë e tyre fizike, pa qenë nevoja që një anije hapësinore të udhëtojë deri tek ata./k.m
