Last Updated on 03/08/2026 by Anisa
Një studim i publikuar në revistën Nature ka zbuluar një formë të rrallë melanome ngjitëse te peshku mustak kafe (Ameiurus nebulosus), një specie që jeton në liqenet e Amerikës së Veriut dhe Kanadasë. Njollat e mëdha të zeza që shfaqen te rreth një e treta e këtyre peshqve nuk shkaktohen nga viruse apo ndotja, por nga qeliza kancerogjene që kalojnë nga një individ te tjetri.
Shkencëtarët zbuluan se qelizat e tumorit ishin gjenetikisht shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, por të ndryshme nga qelizat e peshkut ku ndodheshin. Kjo tregon se tumori përhapet në mënyrë klonale, duke u sjellë si një agjent infektiv.
Sipas studiuesve, transmetimi ka të ngjarë të ndodhë gjatë sezonit të shumimit, kur peshqit kanë kontakte më të shpeshta me njëri-tjetrin dhe me fundin e liqenit. Prania e arsenikut në ujë ose ndryshimet hormonale mund t’i bëjnë më të ndjeshëm ndaj sëmundjes, megjithëse tumori është vërejtur edhe në liqene më të pastër. Ekspertët theksojnë se nuk ka asnjë rrezik për njerëzit apo speciet e tjera, pasi qelizat tumorale nuk mund të mbijetojnë ose të infektojnë organizma të ndryshëm nga kjo specie peshku. Ky është lloji i katërt i kancerit ngjitës i zbuluar në botën e kafshëve dhe i pari te një peshk i ujërave të ëmbla. Studiuesit besojnë se zbulimi mund të ndihmojë në kuptimin më të mirë të mënyrës se si tumoret mbijetojnë dhe përhapen, duke hapur rrugë për kërkime të reja mbi biologjinë e kancerit.
