Last Updated on 05/01/2026 by Klara
Më 3 janar 2026 Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryen një operacion ushtarak të jashtëzakonshëm në Venezuelë, i cili përfundoi me kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të dy të dërguar jashtë vendit dhe në dorë të drejtësisë amerikane për t’u përballur me akuza federale. Operacioni, i njohur nga U.S. Joint Chiefs of Staff si “Operación Resolución Absoluta”, përfshiu bombardime të gjera në Caracas dhe përdorim të forcave speciale amerikane.
Sipas raportimeve zyrtare Presidenti amerikan Donald Trump dha dritën jeshile për nisjen e ofensivës natën e 3 janarit, duke shpjeguar se do të përzgjidhte kushtet perfekt të motit dhe momentin strategjik për t’i dhënë fund qeverisjes së Maduro-s. Sipas Trump, Maduro ishte në një rezidencë jashtëzakonisht të fortifikuar dhe u kap ndërsa ishte i papërgatitur, madje duke fjetur në krevat, ndërsa forcat amerikane shkatërruan sistemet mbrojtëse me sulme ajrore dhe infiltrim të forcave speciale.
Për operacionin u përdor informacion sekret që u sigurua nga një agjent i infiltruar brenda rrethit të brendshëm të Maduro-s, i rekrutuar nga CIA. Ky burim i brendshëm ishte një pikë kyçe që lejoi Forcat Speciale Delta të Shteteve të Bashkuara të lokalizonin saktësisht vendndodhjen e presidentit dhe bashkëshortes së tij, duke siguruar imazhe dhe koordinata të vlefshme gjatë ditëve kritike përpara kapjes. Për këtë shërbim raportohet se ky spiun do të marrë një shpërblim shumë milionësh nga qeveria amerikane.
Maduro dhe Flores tani përballen me akuza federale në Gjykatën e Distriktit Jugor të New York-ut, përfshirë akuza për konspiracion narko-terrorist, trafikim kokaine dhe posedim të armëve të rënda, çështje për të cilat qeveria amerikane kishte nxjerrë një shpërblim prej deri në 50 milionë dollarë për informacion që të çonte në kapjen e tyre.
Ky operacion ka shkaktuar reaksione të fuqishme ndërkombëtare. Qeveria venezueliane e konsideron këtë veprim si një agresion ushtarak dhe shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, duke dënuar sulmet dhe kapjen si një ndërhyrje të papranueshme në çështjet e brendshme të vendit. Ekspertë ligjorë dhe politikë ndërkombëtarë kanë diskutuar mundësinë e sfidave juridike në forume ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, duke theksuar tensionet e rënda diplomatike që ka shkaktuar ky veprim.
Një pjesë e madhe e botës po ndjek me kujdes zhvillimet e mëtejshme rreth kapjes së Maduro-s, ndikimin e saj në rajon dhe përgjigjet e komunitetit ndërkombëtar ndaj rolit të SHBA-së në destabilizimin e një qeverie sovrane./K.M
