Është bërë i ditur shkaku i vdekjes së aktorit të njohur Tim Curry, i cili u nda nga jeta më 25 gusht, në moshën 80-vjeçare. Sipas People, e cila ka siguruar dokumente nga Departamenti i Shëndetit Publik i Qarkut të Los Anxhelosit, aktori vdiq si pasojë e sëmundjes koronare të zemrës.
Në të njëjtin dokument përmenden si probleme të rëndësishme shëndetësore edhe historiku i një goditjeje në tru dhe kanceri i veshkave, por ato nuk konsiderohen si shkaqe të drejtpërdrejta të vdekjes.
Curry u nda nga jeta në mënyrë paqësore në shtëpinë e tij, në zonën Toluca Lake të Los Anxhelosit, të martën, më 25 gusht, bëri të ditur menaxheri i tij për People. Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit konfirmoi se atë ditë efektivët iu përgjigjën një telefonate dhe kryen një kontroll në një banesë në North Hollywood, pas raportimit për një burrë rreth moshës 80 vjeçare. Curry ndërroi jetë pak para mesnatës.
Aktori kishte pësuar një goditje të rëndë në tru në vitin 2012. Që prej asaj kohe, ai kishte reduktuar ndjeshëm daljet publike dhe aktivitetin e tij si aktor.
Në shtator të vitit 2025, Curry kishte folur hapur për gjendjen e tij shëndetësore. Gjatë një shfaqjeje përkujtimore me rastin e 50-vjetorit të filmit The Rocky Horror Picture Show, në Academy Museum në Los Anxhelos, ai kishte thënë:
“Ende nuk mund të eci, prandaj jam ulur në këtë karrige të mallkuar, dhe kjo është shumë kufizuese. Kështu që nuk do të këndoj apo të kërcej së shpejti. Vazhdoj të kem probleme serioze me këmbën e majtë.”
Tim Curry ishte një aktor, këngëtar dhe artist britanik, i njohur veçanërisht për rolin ikonik të Dr. Frank-N-Furter në The Rocky Horror Picture Show. Gjatë një karriere që zgjati më shumë se pesë dekada, ai u shqua edhe për role në filma si It, Clue dhe Home Alone 2, si dhe për punën e tij të suksesshme në teatër dhe muzikë./mxh
