Një gazetar peruan ka ndërruar jetë të premten në një spital në Lima, pasi u sulmua nga persona të armatosur, njoftoi Shoqata Kombëtare e Gazetarëve të Perusë (ANP). Me këtë rast, numri i gazetarëve të vrarë në vend gjatë këtij viti ka shkuar në katër.
Viktima, Michar Castillejos, 34 vjeç, u plagos rëndë më 12 dhjetor, teksa po dilte nga banesa e tij për t’u nisur drejt stacionit radiofonik Latin Plus, ku punonte, në rajonin Ucayali. Ai ishte i njohur për investigimet e tij, përfshirë zbulimin e një skandali korrupsioni që përfshinte autoritete lokale.
Shoqata Kombëtare e Gazetarëve kërkoi “ndëshkim shembullor për autorët e kësaj vrasjeje”, duke theksuar se “ky vit ka qenë katastrofik për lirinë e shtypit në Peru”.
Vrasjet ndodhin në një kohë kur aktiviteti i bandave kriminale është në rritje në Peru. Sipas të dhënave zyrtare, nga janari deri në tetor të këtij viti janë regjistruar 1.888 vrasje, një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./K.M
