Shumë prej nesh nuk mund ta imagjinojnë mëngjesin pa aromën dhe shijen e kafes, por sipas ekspertëve, ky zakon i përditshëm nuk është aq i shëndetshëm sa mendojmë.
Në fakt, kafeja menjëherë pas zgjimit mund të ndikojë negativisht në energjinë dhe sistemin hormonal të trupit.
Çfarë thonë studimet?
Një studim i kryer nga Universiteti i Bath në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se pirja e kafes menjëherë pas zgjimit rrit ndjeshëm nivelin e kortizolit – hormonit që trupi prodhon për t’u zgjuar natyrshëm. Kur e mbingarkojmë trupin me kafeinë në këtë moment, ai “ngatërrohet” dhe ndalon prodhimin natyral të energjisë. Rezultati?
Pas disa orësh ndjehemi më të lodhur dhe më të varur nga kafeja, në vend që të jemi më energjikë.
Cila është ora e duhur për kafe?
Ekspertët sugjerojnë që kafenë e parë ta pini rreth 1 deri në 2 orë pas zgjimit, zakonisht midis 9:30 dhe 11:00 të mëngjesit. Në këtë periudhë, nivelet e kortizolit bien natyrshëm dhe kafeina ndihmon për të ruajtur energjinë pa e prishur balancën hormonale.
Çfarë të pini në vend të kafes në mëngjes?
Nëse zgjoheni dhe ndjeni nevojë për diçka menjëherë, ujë i vakët me limon ose një gotë ujë e thjeshtë janë alternativa të shkëlqyera. Ato ndihmojnë trupin të hidratohet pas orëve të gjata të dhe “zgjojnë” metabolizmin më mirë se kafeja. Mund të shtoni edhe pak mjaltë ose xhenxhefil për një efekt detoksifikues dhe energjizues natyral.
Kujdes me sasinë ditore!
Edhe pse kafeja ka shumë përfitime – përfshirë përqendrimin dhe mbrojtjen e trurit – sasia ideale është deri në 2 filxhanë në ditë. Më shumë se kaq mund të shkaktojë ankth, pagjumësi ose çrregullime të tretjes, sidomos nëse konsumohet me stomak bosh.
Pra, nëse dëshironi të përfitoni maksimumin nga kafeja juaj e përditshme, prisni pak më gjatë për ta pirë. Trupi juaj do ta falënderojë, energjia do të zgjasë më shumë dhe nuk do të ndiheni më të lodhur paradite.
Ndonjëherë, sekreti i mirëqenies nuk është të ndalosh kafen, por ta pish në kohën e duhur.