Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u takua me Mbretin Felipe të Spanjës në pallatin Zarzuela, si pjesë e turit të tij evropian. Gjatë vizitës në Madrid, Zelenskiy zhvilloi takime edhe në Parlamentin spanjoll, si dhe me ministren e Mbrojtjes dhe drejtues të industrisë mbrojtëse.
Pas takimit dhe drekës me Mbretin Felipe, Zelenskiy pritet t’i bashkohet kryeministrit Pedro Sanchez për të parë nga afër veprën e famshme të Picassos, Guernica, ndërsa dita do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp në pallatin qeveritar Moncloa.
Gjatë vizitës, Spanja njoftoi se do të shpallë një paketë ndihme “të konsiderueshme” për Ukrainën, megjithëse nuk u dhanë detaje mbi përmasën apo përmbajtjen e saj. Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Diego Martinez Belio, theksoi se paketa do të bëhet publike gjatë qëndrimit të Zelenskiyt në Madrid.
Spanja ka qenë së fundmi nën kritika nga aleatët e NATO-s për refuzimin e thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump që vendet evropiane të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së. Megjithatë, Madridi ka qenë i zëshëm në mbështetjen për Ukrainën dhe po merr pjesë në misionet e reja të mbrojtjes në krahun lindor të NATO-s./MXH
