Demi Moore ka vendosur të ndajë me publikun disa nga momentet më të veçanta të dasmës së vajzës së saj, Tallulah Willis, në një postim të mbushur me emocione dhe kujtime familjare.
Tallulah, vajza më e vogël e Demi Moore dhe Bruce Willis, kurorëzoi dashurinë me muzikantin Justin Ashe më 8 gusht, gjatë një ceremonie private në Sun Valley, Idaho. Çifti, i cili ka qenë në një lidhje prej rreth tre vitesh, zgjodhi një festë intime, larg vëmendjes së madhe mediatike.
Një javë pas ceremonisë, Moore publikoi në Instagram disa fotografi nga dita e madhe. Në imazhet e publikuara, aktorja shihet pranë vajzës së saj në momente intime para ceremonisë, ndërsa disa prej fotove sjellin edhe atmosferën e festës pas martesës.
Krahas albumit fotografik, Demi i kushtoi Tallulah-s edhe disa fjalë të ndjera, duke treguar se ta shihte vajzën e saj të bëhej nuse ishte një prej atyre momenteve që do ta ruajë përgjithmonë në kujtesë.
“Ka momente në jetë që duken pothuajse shumë të mira për të qenë të vërteta dhe të shikoja Tallulah-n time të bëhej nuse, e rrethuar nga kaq shumë dashuri, ishte një prej tyre”, shkroi ajo.
Aktorja tregoi se dita e martesës e la me një ndjenjë të fortë mirënjohjeje dhe dashurie, ndërsa i uroi çiftit një jetë të mbushur me aventura, të qeshura dhe një dashuri që do të forcohet me kalimin e viteve.
Fustani i nusërisë kërkoi 712 orë punë
Emocionet për martesën kishin nisur shumë përpara ceremonisë. Pak ditë para dasmës, Demi Moore kishte ndarë me ndjekësit edhe pamje nga provat e fustanit të vajzës së saj.
Sipas aktores, krijimi i fustanit të nusërisë kërkoi plot 712 orë punë, duke e bërë veshjen një prej detajeve më të veçanta të ditës.
Moore falënderoi publikisht stilistin Pierpaolo Piccioli për krijimin e fustanit, duke treguar se ai kishte arritur të realizonte ëndrrën e Tallulah-s për pamjen e saj në ditën e martesës.
Me fotografitë e publikuara, Demi Moore ka ndarë me fansat një pjesë të rrallë të një dite tepër personale për familjen, duke treguar jo vetëm elegancën e ceremonisë, por mbi të gjitha emocionet e një nëne që sheh vajzën e saj të nisë një kapitull të ri të jetës./mxh
