Last Updated on 18/08/2026 by Monika
Ministria e Mbrojtjes ka ndarë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend.
Sot janë regjistruar 9 vatra zjarri, nga të cilat 6 mbeten aktive, 1 është nën kontroll dhe 2 janë në monitorim.
Forcat operacionale vijojnë punën në terren, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Situata me zjarret, sipas vatrave kryesore:
Dajt, Tiranë – Nuk ka rrezik për zonat e banuara. Priska është nën kontroll dhe në monitorim, ndërsa Vakumone është e izoluar.
Gurë-Lurë, Dibër – Korridoret e hapura kanë bërë të mundur izolimin e zjarrit. Sot vijon puna për shuarjen me forcat operacionale. Nuk ka rrezik për banesat.
Qafë Helmës – Zjarri është fikur nga krahu i Bulqizës dhe mbetet aktiv drejt Selishtës; në terren janë 11 zjarrfikës, 11 forca bashkiake dhe 5 vullnetarë.
Bruç, Mat – Vijon operacioni në terren të vështirë, i mbështetur nga 30 efektivë të FA. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Lufaj, Mirditë – Vatra mbetet aktive, por me intensitet të ulët dhe avancim të lehtë. Forcat janë pozicionuar pranë zonave të banuara për gatishmëri të menjëhershme.
Tërbun, Pukë – Vijon operacioni me 3 automjete zjarrfikëse. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në përgjithësi, situata paraqitet në menaxhim të vazhdueshëm, me disa vatra të izoluara ose nën kontroll dhe me përqendrim të forcave tokësore e ajrore në Dajt, Lurë, Mat dhe Tërbun./Mxh
