Një studim i ri ka analizuar mbetjet e Njeriut të Altamurës dhe ka hedhur poshtë hipotezën se Neandertalët kishin një zgavër hundore të përshtatur posaçërisht ndaj klimave të ftohta.
Studimi, i realizuar nga kërkues italianë dhe spanjollë dhe i botuar në PNAS, analizoi për herë të parë zgavrën nazale të një Neandertali të ruajtur plotësisht. Rezultatet treguan se, ndryshe nga sa mendohej deri tani, struktura e brendshme e hundës së tyre nuk ishte dukshëm e ndryshme nga ajo e Homo sapiens. Objekt i këtij analizimi ishte e vetmja zgavër nazale e Neandertalit e zbuluar ndonjëherë, ajo e Njeriut të Altamurës, një skelet i gjetur në vitin 1993 në një shpellë karstike pranë Altamurës (ku ndodhet ende sot). Ky individ ka jetuar midis 130.000 dhe 172.000 vjet më parë.
Vrima të mëdha të hundës – një mister i pazgjidhur
Neandertalët njihen për morfologjinë e tyre të fytyrës, të ndryshme nga e jona dhe disi të ngjashme me atë të majmunëve: sythe të mëdha orbitale, hapje të gjera të hundës dhe një zgjatje të pjesës qendrore të fytyrës të njohur si prognatizëm i mesit të fytyrës.
Pikërisht morfologjia e brendshme e hundës ka qenë prej kohësh objekt debatesh. Struktura e jashtme nuk përputhej me atë që pritet zakonisht nga popullatat e përshtatura për të jetuar në klimë të ftohtë — të cilat zakonisht kanë vrima më të ngushta hunde, për të ngrohur dhe lagur ajrin para se ky të arrijë në mushkëri. Kështu, u supozua se Neandertalët mund të kishin pasur një strukturë të brendshme të veçantë për të kondicionuar ajrin e ftohtë, një hipotezë që mbështetej vetëm në mbetje fragmentare e të paplota.
Pothuajse si ne
Duke përdorur teknologji endoskopike, paleontologët analizuan skeletin direkt në shpellën Lamalunga dhe zbuluan se morfologjia e brendshme e hundës së Njeriut të Altamurës është shumë e ngjashme me atë të njerëzve modernë, duke përjashtuar kështu praninë e tipareve funksionale unike të Neandertalëve.
Autorët krijuan edhe një model 3D të hundës, i cili pritet të shërbejë si bazë për studime të mëtejshme mbi mënyrat e frymëmarrjes së specieve të zhdukura. “Nga analiza e zgavrës hundore të Neandertalit Altamura, rezulton se struktura funksionale e saj nuk ndryshon shumë nga ajo e njeriut modern, ndonëse morfologjia e jashtme është krejtësisht e ndryshme”, përmbledh Costantino Buzi.
Por a është vërtet kaq e çuditshme?
Sipas paleontologut Antonio Profico, nuk është aspak befasuese që Neandertalët jetonin në klimë të ftohtë pa ato përshtatje të brendshme që ishin supozuar më parë. Kolegu i tij, Carlos Lorenzo, pajtohet, duke theksuar se “nëse merret parasysh bioenergjetika, paradoksi i hapjes së madhe hundore te Neandertalët nuk është më paradox. Në fakt, është ajo që pritet nga një specie e përshtatur ndaj të ftohtit, duke pasur një morfologji ‘arkaike’ të kafkës”.
Sipas Lorenzo-s, struktura hundore e Neandertalit mund të ketë qenë zgjidhja optimale për kondicionimin e ajrit në një trup masiv.
Hipoteza përfundimtare e autorëve është se nuk ka qenë funksioni nazal ai që ka ndikuar në formësimin e prognatizmit të mesit të fytyrës te Neandertalët — por e kundërta.
Burimi: focus.it/ nga Chiara Guzzonato/ Përgatiti për botim: L.Veizi
