Zgjedhjet e ardhshme në Hungari pritet të jenë vendimtare për orientimin politik dhe ekonomik të vendit. Kreu i opozitës, Peter Magyar, deklaroi për Reuters se vota e 12 prillit do të jetë një “referendum” për të ardhmen europiane të Hungarisë.
Sipas tij, zgjedhja është e qartë: forcimi i lidhjeve me Europën dhe zhbllokimi i fondeve jetike të Bashkimit Europian, apo afrimi me Lindjen dhe modele autoritare qeverisjeje. Partia e tij e qendrës së djathtë, Tisza, shihet si sfida më serioze ndaj kryeministrit nacionalist Viktor Orban, i cili ka 16 vite në pushtet dhe promovon atë që e quan “demokraci joliberale”.
Magyar kritikoi marrëdhëniet e ngrohta të Orbanit me Rusinë dhe vende të tjera ish-sovjetike si Kazakistani dhe Azerbajxhani, si edhe afrimin e Hungarisë me Organizatën e Shteteve Turke. Ai theksoi se vendi duhet të rikthehet fuqishëm në boshtin europian, duke ndjekur shembullin e Polonisë, Sllovenisë, Çekisë dhe shteteve baltike.
Në fokus të debatit elektoral janë edhe fondet e ngrira të Bashkimit Europian. Aktualisht, rreth 17 miliardë euro mbeten të bllokuara për shkak të shqetësimeve mbi reformat në sundimin e ligjit nën qeverisjen e Orbanit. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve lidhet me Mekanizmin e Rimëkëmbjes dhe Rezistencës, me një afat përfundimtar në fund të gushtit. Magyar premtoi se, nëse fiton, do të përmbushë me shpejtësi kushtet e kërkuara nga Brukseli për të zhbllokuar fondet.
Zgjedhjet në Hungari konsiderohen gjithashtu një test për forcat e djathta në Europë, në një kohë kur kontinenti përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe të sigurisë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nën presidencën e Donald Trump.
Trump ka shprehur mbështetje publike për Orbanin, ndërsa opozita thekson se do të ruajë marrëdhënie “konstruktive dhe miqësore” me Uashingtonin. Sa i përket Ukrainës, Magyar deklaroi se një qeveri e drejtuar nga ai nuk do të dërgonte trupa apo armë, por do të mbështeste procesin e paqes dhe një armëpushim të mundshëm.
Ndërkohë, Orban e ka paraqitur zgjedhjen si një përballje mes “luftës dhe paqes”, duke akuzuar opozitën se do ta përfshinte Hungarinë në konfliktin ukrainas – akuza që Tisza i ka hedhur poshtë.
Me sondazhet e fundit që tregojnë një avantazh në rritje për opozitën, gara elektorale në Hungari pritet të jetë ndër më të fortat e viteve të fundit dhe me pasoja të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të vendit./mxh
