Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka zhvilluar sot një mbledhje ku ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e planit të aktiviteteve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.
Sipas vendimit të KQZ-së, procesi i votimit me postë, i cili ishte planifikuar të fillonte më 25 maj, do të nisë më herët, më 21 maj 2026.
Në njoftimin për mediat KQZ ka bërë të ditur se ndryshimi i afatit është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare, sipas të cilit kompania DHL dhe shërbimet postare në disa vende evropiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare. Si pasojë, gjatë periudhës 22–26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave postare.
“Ky ndryshim i afatit është bërë pas njoftimit nga kontraktori për shërbime postare se kompania DHL dhe shërbimet postare në disa vende europiane nuk do të punojnë më 25 maj 2026 për shkak të një feste zyrtare dhe si pasojë, gjatë periudhës 22 – 26 maj nuk do të ketë shpërndarje dhe pranim të dërgesave. Andaj, për të shmangur vonesat në dërgimin dhe pranimin e pakove me fletëvotime, janë ndërmarrë aktivitete përgatitore që procesimi dhe dërgimi i pakos me fletëvotim për secilin votues të regjistruar për votim me postë të bëhet më herët”, njofton KQZ./mxh
