Last Updated on 15/11/2026 by Anisa
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një jurist të Kadastrës Vlorë ndaj të cilit rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës.
Sipas njoftimit, administratorja e “Triumph Company” kallëzoi Andi Barjamin se kishte fshirë nga kartela e pasurisë një shënim kufizues që lidhej me kontratën e sipërmarrjes të lidhur mes kompanisë dhe pronarëve të një trualli me sipërfaqe 3 250 metra katrorë në zonën e Selitës, Tiranë.
Sipas Prokurorisë, pas fshirjes së këtij shënimi kufizues, pronarët e truallit kanë lidhur një kontratë të re sipërmarrjeje me një tjetër kompani, “Al Development”. Juristi dyshohet se e kreu veprimin pa pasur një bazë të mjaftueshme ligjore, duke cenuar interesat e shoqërisë “Triumph Company”.
“Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr.6824, të vitit 2025, nisur mbi kallëzimin e një shtetaseje J.D. në cilësinë e administratores së shoqërisë “Triumph Company” sh.p.k., ky shtetas rezultoi se ka fshirë shënimin kufizues të kontratës së sipërmarrjes nga kartela e pasurisë nr. 138/19, zona kadastrale 3292, Selitë, Tiranë që kjo shoqëri kishte lidhur me pronarët e tokës për zhvillimin e pasurisë me sipërfaqe 3250 m² në Selitë për zhvillimin e pronës në dëm të shoqërisë.
Pronarët e tokës lidhën me shoqërinë ‘Triumph Company’ një kontratë sipërmarrjeje për zhvillimin e pasurisë, ku neni 4 përcakton se afati për realizimin e ndërtimit është tre vjet pas marrjes së lejes së ndërtimit. Kontrata është pasqyruar në dokumentacionin kadastral me shënim bllokimi në favor të shoqërisë “Triumph Company”. Shënimi siguronte pasqyrimin dhe mbrojtjen në regjistër të interesit kontraktor të shoqërisë mbi pasurinë objekt zhvillimi”, njofton prokuroria.
Nga hetimet rezultoi se juristi i ASHK-së Vlorë, të cilit praktika i ishte caktuar përmes shortit elektronik, e fshiu shënimin pas kërkesës së pronarëve të tokës. Këta të fundit pretendonin se kompania nuk kishte zhvilluar pronën dhe i kishin dërguar asaj një njoftim noterial për ndërprerjen e marrëdhënies kontraktore. Pas këtij ndryshimi pronarët e tokës nënshkruan me një tjetër shoqëri “Al Development” sh.p.k. një kontratë të re sipërmarrjeje për të njëjtën pasuri.
Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultoi se pretendimi për moszhvillimin e pronës nuk përbënte provë të përfundimit automatik të kontratës. Afati trevjeçar i nenit 4 fillonte nga marrja e lejes së ndërtimit dhe jo nga nënshkrimi i aktit. Juristi i ASHK-së nuk mund të zëvendësonte provën e zgjidhjes ligjore të kontratës me vlerësimin e tij mbi kohëzgjatjen e moszhvillimit të pronës.
Organi i akuzës vlerëson se juristi nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për të fshirë shënimin kufizues, duke cenuar kështu interesat e ligjshme të shoqërisë “Triumph Company” dhe duke mundësuar lidhjen e një kontrate të re për të njëjtën pronë me një subjekt tjetër./ad
