Autoritetet në shtetin e New Mexico po thellojnë hetimet lidhur me akuzat për abuzime seksuale që dyshohet se kanë ndodhur në pronën e izoluar të Jeffrey Epstein, e njohur si Zorro Ranch.
Sipas burimeve të ndryshme, disa gra pretendojnë se janë dërguar në këtë vend dhe janë shfrytëzuar seksualisht nga Epstein së bashku me persona të tjerë të përfshirë. Deri tani, vetëm një prej tyre, Rachel Benavides, ka dalë publikisht për të rrëfyer përvojën e saj.
Përfaqësuesja Marianna Anaya, e cila udhëheq hetimin në nivel shtetëror, bëri të ditur se institucioni që ajo drejton është kontaktuar nga banorë të zonës që pretendojnë se kanë qenë viktima abuzimi në këtë pronë. Ajo shtoi se Komisioni i së Vërtetës po punon në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Drejtësisë për të mbështetur të mbijetuarit në rrugën e tyre drejt drejtësisë.
Ky është rasti i parë kur ky komision pranon zyrtarisht se ka marrë dëshmi nga gra vendase, të cilat flasin për ngjarje që dyshohet të kenë ndodhur përgjatë më shumë se dy dekadave që Epstein kishte në pronësi ranch-in.
Ndërkohë, dokumente gjyqësore sugjerojnë se Epstein dhe rrjeti i tij dyshohet se kanë rekrutuar vajza të mitura nga zona të ndryshme, duke i dërguar në prona të ndryshme, përfshirë New York dhe Palm Beach, ku pretendohet se janë kryer abuzime.
Nga ana tjetër, Maria Jose Rodriguez Cadiz, drejtuese e një qendre që mbështet viktimat e dhunës seksuale, theksoi se vetëm gjatë vitit 2019 periudhë që përkon me arrestimin dhe vdekjen e Epstein dhjetëra persona kanë kërkuar ndihmë dhe informacion lidhur me ngjarjet e dyshuara në këtë ranch.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa autoritetet përpiqen të zbulojnë të vërtetën e plotë pas një prej skandaleve më të rënda të abuzimit seksual në Shtetet e Bashkuara./mxh
