Një vatër zjarri me përmasa të konsiderueshme ka përfshirë një sipërfaqe pyjore mbrëmjen e djeshme, duke vendosur në gatishmëri maksimale strukturat e emergjencës. Flakët po përhapen me shpejtësi midis fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq, duke rrezikuar zonat e banuara aty pranë.
Alarmi në sallën operative është marrë në orët e para të mbrëmjes, çka ka vënë në lëvizje të menjëhershme skuadrat e shpëtimit. Megjithatë, sapo kanë mbërritur në terren, zjarrfikësit janë përballur me barriera serioze për shkak të thyerjes së relievit.
Sipas raportimeve të para nga vendi i ngjarjes në orën 21:09 është marrë njoftimi se kishte rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes u nisën dy grupe shërbimi me dy automjete zjarrfikëse. Me mbërritjen në vendngjarje u konstatua se zjarri kishte dy vatra aktive, të përhapura në dy kodra të ndryshme. Ndërhyrja me automjete është e pamundur për shkak të terrenit të vështirë.
Izolimi i flakëve për të mbrojtur fshatrat
Përballë kësaj situate kritike dhe sipërfaqes së madhe që po digjet, ngjarja është klasifikuar zyrtarisht si zjarr masiv. Kjo ka detyruar drejtuesit e operacionit të ngrenë në këmbë të gjithë forcave operacionale të disponueshme.
Për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të përfshirë nga flakët, situata është vlerësuar si zjarr masiv, ndaj është angazhuar i gjithë efektivi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH).
Aktualisht, efektivët e MZSH-së po përballen me flakët në kushte mjaft të vështira, duke punuar manualisht dhe me mjete rrethanore për shkak të mungesës së rrugëve të kalimit për makinat. Prioriteti absolut i strukturave në këto momente mbetet krijimi i një brezi izolues, me qëllim që të parandalohet me çdo kusht që zjarri të zbresë kodrat dhe të mbërrijë pranë shtëpive të fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq./kb
