Në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë u gjetën eksplozivë, në Lituani u dogj një dyqan i IKEA-s, në aeroportin e Lajpcigut u gjet një dron, ndërsa në Londër u dogj një magazinë me pajisje për Ukrainën. Ndërkohë, në Francë u shfaqën koka derrash pranë xhamive.
Në shikim të parë të palidhura, incidente të ngjashme kanë ndodhur vitet e fundit në mbarë Evropën, por të gjitha kanë një të përbashkët: hetimet ose autoritetet në këto vende i lidhin ato me Rusinë.
Vetëm në Serbi, tre persona janë dënuar për spiunazh në favor të Rusisë dhe për nxitjen e incidenteve që kishin në shënjestër komunitetet hebraike dhe myslimane në Francë dhe Gjermani, ndërsa një person, i cili dyshohet se ka lidhje me sabotimet e kryera në emër të Rusisë në vendet e Bashkimit Evropian (BE), është dënuar me një vit arrest shtëpiak në Suboticë.
Rasti i tij lidhet nga mediat gjermane me shërbimet ruse të inteligjencës dhe incidentin e fillimit të gushtit në aeroportin e Lajpcigut, ku, pranë avionëve ukrainas të transportit të mallrave, u gjet një dron me një mjet shpërthyes./ad
