Një zjarr masiv pyjor po përparon në jug të Spanjës, duke përfshirë mijëra hektarë tokë dhe pyje, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet gjatë orëve në vijim.
Në zonën e Aznalcóllar, në provincën e Seviljes, deri tani janë djegur më shumë se 30 mijë, e sipas autoriteteve deri në 35 mijë hektarë. Erërat pritet të forcohen gjatë pasdites, duke rritur rrezikun e përhapjes së flakëve drejt Aznalcóllar dhe zonave në veri.
Rreth 700 zjarrfikës janë angazhuar në operacion, së bashku me Njësinë Ushtarake të Emergjencave, shërbimet rajonale të mbrojtjes nga zjarret, Mbrojtjen Civile dhe Gardën Civile.
Nga ajri, avionë dhe helikopterë hedhin ujë dhe materiale kundër zjarrit, në përpjekje për të frenuar flakët dhe për të mbrojtur zonat e banuara.
Por kushtet e motit mbeten shqetësimi kryesor për autoritetet. Forcimi i erës mund të ndryshojë drejtimin dhe ritmin e përhapjes së zjarrit, duke e bërë më të vështirë punën e ekipeve në terren.
Kryebashkiaku i Aznalcóllar, Juan José Fernández Garrido, e ka përshkruar situatën si dramatike, duke thënë se banorët po shohin të digjen pyjet, malet dhe tokat e tyre.
Pavarësisht vështirësive, qindra efektivë vijojnë të luftojnë me flakët, ndërsa autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e zjarrit dhe ndikimin e erërave.
Bilanci i sipërfaqes së djegur mund të rritet edhe më tej nëse kushtet atmosferike përkeqësohen gjatë orëve në vijim./mxh
