Last Updated on 09/08/2026 by EL
Mbrojta Civile ka përditësuar situatën e zjarreve në vendin tonë! Bëhet me dije se të paktën 227 forca operacionale, 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse dhe 4 mjete ajrore janë angazhuar në operacionet për përballimin e zjarreve në disa zona të vendit. Sipas përditësimit, situata vijon të monitorohet dhe ndërhyrjet në terren po vijojnë.
Mësohet se gjatë vata janë ende aktive:
Në Dajt, pranë një fabrike uji, gjatë mesditës janë rishfaqur disa vatra zjarri. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin e situatës, ndërsa aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe situata po shkon drejt shuarjes së plotë. Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijon puna për kontrollin e disa vatrave të vogla. Në terren janë angazhuar 6 automjete zjarrfikëse, një autobot uji dhe 25 efektivë.
Në Panahor-Ndrenie-Vlosht të Mallakastrës, zjarri është nën kontroll. Në operacion janë përfshirë forca të MZSH-së, Policisë Bashkiake dhe Forcave të Armatosura, të mbështetura nga një helikopter dhe një avion Air Tractor. Edhe në këtë zonë nuk paraqitet rrezik për banesat.
Ndërkaq, vatra në Koilac-Greshicë është nën kontroll. Për shuarjen e saj po punojnë 3 mjete zjarrfikëse, 20 efektivë të MZSH-së dhe 25 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike
Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar dhe në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, në zona me terren të vështirë.
Ndërsa në Vilëz të Kurbinit, zjarri vijon të jetë aktiv. Rreth 50 forca janë angazhuar për përballimin e flakëve, ndërsa ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka ndihmuar në ndalimin e avancimit të zjarrit. Falë ndërhyrjes, është shmangur prekja e kishës, varrezave dhe banesave përreth.
Operacionet kundër zjarreve vijojnë në terren, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile po monitorojnë situatën në zonat e prekura./ET
