Rreth 42 mijë persona janë urdhëruar të evakuohen menjëherë nga zonat pranë Reno-s, në Nevada, ndërsa 45 mijë të tjerë janë paralajmëruar të jenë gati për t’u larguar, për shkak të një zjarri masiv që po përhapet me shpejtësi.
Zjarri, shpërtheu të shtunën në mëngjes pranë Hawk Meadow Trail, në perëndim të Reno-s. Sipas autoriteteve lokale, deri më tani janë djegur rreth 15 mijë hektarë tokë, ndërsa flakët kanë arritur në periferi të qytetit. Shefi i Distriktit të Mbrojtjes nga Zjarri Truckee Meadows, Richard Edwards, tha të hënën se zjarri vazhdon të zgjerohet dhe se asnjë pjesë e perimetrit të tij nuk ishte ende nën kontroll.
Autoritetet kanë paralajmëruar se zjarri mund të vazhdojë të përhapet edhe për dy ditë të tjera. Aktualisht nuk ka një afat se kur banorët do të lejohen të rikthehen në shtëpitë e tyre. Deri tani, gjashtë persona janë plagosur, mes tyre tre zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të emergjencave. Kushtet e thata, temperaturat e larta dhe erërat e forta e të paparashikueshme kanë ndihmuar në përhapjen e shpejtë të flakëve.
Guvernatori i Nevadës, Joe Lombardo, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Washoe County dhe ka urdhëruar angazhimin e Gardës Kombëtare të Nevadës në operacionet për shuarjen e zjarrit dhe ruajtjen e rendit. Rreth 13,700 banesa ndodhen brenda zonës së evakuimit, ndërsa janë ngritur dy qendra strehimi për banorët e zhvendosur. Shumë rrugë janë mbyllur dhe shkollat në Washoe County janë mbyllur, me përjashtim të një shkolle.
Në operacion janë angazhuar edhe 72 pjesëtarë të Gardës Kombëtare, së bashku me një helikopter Chinook dhe një Black Hawk. Avionë të mëdhenj dhe helikopterë po hedhin ujë dhe retardantë zjarri mbi zonat e prekura.
Autoritetet lokale thonë se zjarri është shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. Zjarret janë të zakonshme në jugperëndimin e Shteteve të Bashkuara dhe, sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin mundësinë e kushteve të nxehta dhe të thata që favorizojnë përhapjen e shpejtë të tyre.
Reno, qytet me rreth 280 mijë banorë, ndodhet në perëndim të Nevadës, pranë kufirit me Kaliforninë. Aktualisht në Nevada janë aktive tre zjarre të mëdha, ndërsa në të gjithë SHBA-në raportohen dhjetëra vatra të mëdha zjarri. /kb
