Last Updated on 10/06/2026 by Anisa
Konferenca e Kryetarëve është kthyer sërish në një arenë debati mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Në qendër të diskutimeve këtë herë ka qenë përcaktimi i kalendarit të punimeve dhe përzgjedhja e nismave ligjore, ku deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë duke u ndalur specifikisht te çështja e zonave të mbrojtura dhe protestës kundër projektit në Zvërnec.
Deputetja demokrate ka ngritur shqetësimin mbi trajtimin selektiv të nismave ligjore, duke deklaruar se ndërsa në kalendar janë përfshirë të gjitha nismat e depozituara ditët e fundit, propozimi i saj për zonat e mbrojtura është lënë jashtë.
“Kjo ndodh sepse ju nuk e keni prioritet interesin e qytetarëve. Prioriteti juaj janë ligjet që vijnë me porosi dhe që u shërbejnë të pasurve, duke dëmtuar dhe shkatërruar interesin publik”, theksoi Zhupa gjatë mbledhjes. Përballë këtyre akuzave, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zgjedhur të mos hyjë në debatin teknik, duke preferuar një qasje ironike.
Duke iu referuar retorikës së deputetes Zhupa, Balla është përgjigjur me batutën: “Po shoh që zogjtë e bufit duan të duken si flamingo”./a.d
