Last Updated on 07/08/2026 by EL
Sahar Tabar, iraniania që u bë e famshme në mbarë botën në vitin 2017 pasi publikoi foto ku dukej si një version “zombi” i aktores Angelina Jolie, ka treguar më në fund fytyrën e saj të vërtetë dhe historinë pas imazhit që pushtoi rrjetet sociale. Fotot e saj të manipuluara krijuan një valë reagimesh, me shumë përdorues që besuan se ajo kishte kryer dhjetëra ndërhyrje kirurgjikale për t’u ngjarë një personazhi të frikshëm. Megjithatë, më vonë u zbulua se pamja ishte kryesisht rezultat i efekteve kompjuterike dhe përpunimit të fotografive.
“Ajo që shihnit në Instagram ishin efektet kompjuterike që përdora për të krijuar imazhin. Hapësira kibernetike ishte një rrugëdalje e lehtë. Ishte shumë më e lehtë sesa të bëheshe aktor”, ka thënë ajo. Sahar kishte deklaruar më herët se fotot e saj ishin një mënyrë për të krijuar një personazh dhe jo një përpjekje për t’u shndërruar në një kopje të Angelina Jolie.
“Duke postuar një foto, e bëj fytyrën time më argëtuese dhe qesharake. Është një formë shprehjeje e vetvetes, një lloj arti”, ishte shprehur ajo. Në realitet, ajo kishte kryer vetëm disa ndërhyrje estetike, përfshirë rinoplastikë, liposuksion dhe mbushës në buzë, ndërsa pjesa më ekstreme e pamjes së saj vinte nga filtrat dhe montazhi dixhital.
Shfaqja e saj me fytyrën natyrale bëri që shumë shikues të vërenin se ajo nuk ngjante aspak me figurën e frikshme që kishte qarkulluar në internet për vite me radhë. Sahar ka treguar se dëshironte të bëhej e famshme që në fëmijëri, por pas famës së saj të menjëhershme në rrjetet sociale nuk ka ndërmend të rikthehet në të njëjtën mënyrë në internet.
Historia e saj mori edhe një kthesë dramatike në vitin 2019, kur ajo u arrestua në Iran gjatë një periudhe kur autoritetet ndërmorën masa ndaj disa figurave të njohura online. Ajo u akuzua për blasfemi, nxitje të dhunës, përfitime të paligjshme dhe promovim të korrupsionit te të rinjtë.
Sahar u dënua fillimisht me 10 vite burg, por qëndroi rreth 14 muaj në paraburgim dhe më pas u lirua.
Rasti i saj u bë pjesë e debatit më të gjerë në Iran mbi kontrollin e rrjeteve sociale dhe lirinë e shprehjes, në një periudhë kur vendi po përballej edhe me protesta masive pas vdekjes së Mahsa Amini në paraburgim./et


