Last Updated on 23/03/2026 by EL
Një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian ka deklaruar se Vladimir Putin është “nxitësi më i madh” i migracionit drejt Evropës, për shkak të rolit të tij në nxitjen e konflikteve gjatë dekadës së fundit, ndërsa BE-ja po përgatitet për një rritje të mundshme të flukseve të refugjatëve nga lufta në Lindjen e Mesme.
“Gjithmonë është Putini i përfshirë në këto lëvizje të mëdha migracioni. Gjithmonë Vladimir Putini”, tha komisioneri i migracionit të BE-së, Magnus Brunner, për Financial Times.
Ai iu referua mbështetjes së Rusisë për presidentin sirian Bashar al-Assad gjatë luftës civile që nisi në vitin 2011. Konflikti sirian shkaktoi krizën e migracionit në Evropë në vitet 2015–2016, kur mbi 2 milionë persona kërkuan azil në kontinent. Sipas tij, Putini gjithashtu luajti rol në rënien e regjimit të Assadit në vitin 2024, kur ky i fundit u largua drejt Rusisë.
Sipas Brunner, edhe vala e dytë e migracionit u përbë nga ukrainasit që u zhvendosën në BE pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, ku rreth 4.3 milionë persona kanë marrë mbrojtje të përkohshme.
Në lidhje me konfliktin aktual me Iranin, Brunner tha se edhe pse lufta nuk është nisur nga Rusia, “Putini ka mbështetur regjimin atje”, duke shtuar se ai është “nxitësi më i madh i migracionit drejt Evropës”.
Ndërkohë, vendet e BE-së po kërkojnë masa më të forta për të shmangur një valë të re migracioni, përfshirë edhe mbylljen e kufijve në raste emergjente, një ide e mbështetur nga disa shtete si Italia dhe Danimarka.
Zyrtarët evropianë thonë se aktualisht nuk ka flukse të mëdha nga Irani, por situata mbetet e paqëndrueshme dhe mund të ndryshojë shpejt.
Brunner tha gjithashtu se sipas tij, BE-ja është më e përgatitur se 10 vite më parë, duke përmendur sistemet e reja të kontrollit kufitar dhe verifikimit biometrik që po hyjnë gradualisht në fuqi./et
