Last Updated on 12/07/2026 by EL
Sipas Institutit të Statistikave, në fabrikat e grumbullimit dhe përpunimit u dorëzuan rreth 101 mijë tonë qumësht, ose 6.9% më shumë se në vitin 2024.
Rritja u mbështet kryesisht nga qumështi i lopës, i cili arriti në 84 mijë tonë, me një zgjerim prej 12.5%, duke zënë mbi 83% të totalit të qumështit të grumbulluar.
Në të kundërt, qumështi i deles ra me 21.1%, në rreth 9 mijë tonë, ndërsa ai i dhisë u tkurr me 4.3%, në rreth 8 mijë tonë.
“Qumështi i të imëtave është gjithnjë në rënie, kjo sepse numri i të imtave po tkurret. Nëse bëjmë një krahasim vetëm brenda 10-vjeçarit, numri i të imtave ka rënë me -46%”, tha eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia.
Edhe përpunimi ka shënuar rritje. Prodhimi i qumështit për konsum arriti në 14.5 mijë tonë, mbi 2 mijë tonë më shumë se një vit më parë. Pjesa dërrmuese, 88.2%, ishte qumësht i plotë i përpunuar, çka tregon se industria vijon të orientohet drejt produkteve me kërkesën më të lartë në treg.
Pozitive paraqitet edhe ecuria e nënprodukteve. Prodhimi i djathit u rrit me 1.9%, duke arritur në 10.688 tonë, falë shtimit me 9.9% të djathit nga qumështi i lopës. N
dërkohë, prodhimi i djathit nga qumështi i deles ra me 21.8%, duke reflektuar tkurrjen e furnizimit me këtë lëndë të parë. Prodhimi i gjalpit arriti në 599 tonë, ku 96% mbetet gjalpë tradicional.
“E gjithë kjo vjen pasi ky sektor duhet të mbështetet ndryshe. Aktualisht blegtorët që mbarështojnë dele dhe dhi marrin 15 euro për kokë, në një kohë që kostot dhe trajtimi duhet të bëhen si për blegtorët e rajonit, duke marrë 50 euro për kokë. Në të kundërt, shifrat do të vazhdojnë të jenë kundër nesh”, tha eksperti i bujqësisë Ndoc Fasllia.
Shifrat tregojnë se industria e përpunimit po zgjerohet, por gjithnjë e më shumë po mbështetet te qumështi i lopës, ndërsa pesha e qumështit të deles dhe dhisë në treg po vjen në rënie, duke ndryshuar gradualisht strukturën e prodhimit të qumështit në vend./et
