Last Updated on 12/07/2026 by EL
Më shumë se 26 mijë persona humbin jetën çdo ditë nga kanceri. Kjo sëmundje është bërë një nga sfidat më të mëdha shëndetësore dhe sociale në mbarë botën, duke prekur miliona njerëz jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht dhe financiarisht.
Sipas raportit të ri të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), çdo vit regjistrohen rreth 20.6 milionë raste të reja dhe afro 10 milionë vdekje, duke e renditur kancerin si shkakun e dytë më të madh të vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës. Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2050, rastet e reja mund të arrijnë në 35 milionë, nëse nuk merren masa urgjente për parandalim dhe trajtim.
Raporti nxjerr në pah pabarazi të mëdha në mbijetesën e pacientëve. Në vendet e pasura, 87% e grave me kancer gjiri mbijetojnë të paktën pesë vite pas diagnostikimit, ndërsa në vendet e varfra kjo shifër bie në vetëm 42%. Vetëm një në tre vende e kanë përfshirë kujdesin ndaj kancerit në mbulimin universal shëndetësor.
Shifrat tregojnë kontraste të mëdha edhe në shpërndarjen globale. Azia mban mbi gjysmën e rasteve dhe vdekjeve nga kanceri, ndërsa Europa, me vetëm 9% të popullsisë botërore, përfaqëson 21% të rasteve dhe 20% të vdekjeve. Në Afrikë, numri i rasteve të raportuara është më i ulët, por vdekjet janë të larta për shkak të mungesës së diagnostikimit dhe trajtimit në kohë.
Kanceret më të zakonshme te meshkujt janë kanceri i mushkërive, i prostatës dhe kolorektal, ndërsa te gratë mbizotëron kanceri i gjirit, i mushkërive dhe kolorektal.
Sipas OBSH-së, rreth 40% e rasteve lidhen me faktorë të parandalueshëm si duhani, infeksionet HPV, hepatiti B dhe C, alkooli, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe ushqyerja jo e shëndetshme.
Ka edhe zhvillime pozitive. Përdorimi i duhanit ka rënë me 27% që nga viti 2010, vaksinimet kanë ulur kanceret e lidhura me infeksionet dhe sot 82% e vendeve kanë plane kombëtare për kontrollin e kancerit. Por qasja në trajtime mbetet e pabarabartë, në vendet e varfra, vetëm 9-54% e barnave kryesore kundër kancerit janë të disponueshme, ndërsa në vendet e pasura kjo shifër arrin në 68-94%.
Organizata Botërore e Shënsëtësisë herë pas herë bën thirrje që në qendër të politikave të vendoset pacienti, vendimet që merren sot do të përcaktojnë barrën e kësaj sëmundjeje të rëndë për brezat e ardhshëm./et
