George dhe Amal Clooney kanë ndërtuar prej 12 vitesh një nga martesat më të komentuara të Hollywood-it. Çifti i dha fund beqarisë në vitin 2014, në një ceremoni madhështore në Venecia, të rrethuar nga miq dhe emra të njohur të botës së showbiz-it.
Sot, aktori dhe avokatja e njohur ndërkombëtarisht janë prindër të binjakëve Alexander dhe Ella dhe e ndajnë jetën mes angazhimeve profesionale dhe familjes së tyre.
Por, pavarësisht udhëtimeve dhe projekteve që i mbajnë shpesh larg njëri-tjetrit, George dhe Amal kanë vendosur që distanca të mos zgjasë shumë. Madje, që në fillimet e martesës së tyre, ata kanë vendosur një rregull të thjeshtë: të mos qëndrojnë më shumë se një javë larg njëri-tjetrit.
George e kishte rrëfyer këtë marrëveshje gjatë një interviste për “News.com.au” në vitin 2015, duke treguar se përshtatja me jetën martesore nuk kishte qenë aspak e vështirë për të.
“Asgjë nuk ishte e vështirë. E vetmja gjë me të cilën duhet të përshtatemi janë oraret tona. Marrëveshja jonë është që nuk mund të qëndrojmë larg njëri-tjetrit për më shumë se një javë. Deri tani po funksionon mjaft mirë”, ishte shprehur aktori.
Edhe pse çifti zotëron disa prona në vende të ndryshme, përfshirë rezidencën e njohur pranë liqenit Como, ata kanë zgjedhur Francën si një prej bazave kryesore të jetës familjare.
Në vitin 2021, George dhe Amal blenë Domaine du Canadel, një pronë e gjerë me vreshta në Brignoles, me një sipërfaqe prej rreth 172 hektarësh. Prona u raportua se u ble për rreth 8.3 milionë dollarë.
Në fund, duket se për çiftin Clooney një nga çelësat e marrëdhënies ka qenë pikërisht ky rregull i vendosur që në fillim: sado të ngarkuara të jenë jetët e tyre, një javë larg është kufiri që nuk duan ta kalojnë./mxh
