Last Updated on 21/11/2026 by EL
Ardi Stefa
Distopia nuk është vetëm përfytyrimi letrar i një bote të keqe, të frikshme apo të shkatërruar. Ajo është një paralajmërim. Është mënyra se si shkrimtarët, filozofët dhe mendimtarët përpiqen të na tregojnë se ku mund të përfundojë një shoqëri kur pushteti nuk njeh kufij, kur individi humbet lirinë dhe kur njerëzit mësohen të mos bëjnë më pyetje.
Në letërsi, distopia ka gjetur disa nga shprehjet e saj më të fuqishme te “Asambleja e grave” e Aristofanit, “1984” i George Orwellit, “Më e mira e botëve” e Aldous Huxley-t, “Fahrenheit 451” i Ray Bradbury-t, “Ne” i Jevgeni Zamjatinit, “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë. Janë vepra të shkruara në kohë të ndryshme, por që bashkohen në një shqetësim të përbashkët: çfarë ndodh me njeriun kur sistemi vendos të mendojë, të flasë, të zgjedhë dhe madje të dëshirojë në vend të tij?
Orwell paraqiti një shoqëri ku pushteti kontrollon jo vetëm veprimet, por edhe mendimet. Big Brother nuk vëzhgon. Ai është simboli i pushtetit që kërkon të zotërojë të vërtetën, kujtesën dhe ndërgjegjen njerëzore. Në atë botë, gënjeshtra bëhet e vërtetë nëse përsëritet mjaftueshëm; historia rishkruhet sipas interesave të pushtetit dhe gjuha varfërohet për të kufizuar edhe mundësinë e të menduarit ndryshe.
Huxley, nga ana tjetër, na paralajmëron për një diktaturë më të sofistikuar. Një shoqëri ku njerëzit nuk kanë nevojë të shtypen me dhunë, sepse janë të kënaqur me argëtimin, konsumin, kënaqësitë e menjëhershme dhe një lumturi të prodhuar artificialisht. Nëse te Orwelli njerëzit kanë frikë nga pushteti, te Huxley ata as që e vënë re se kanë humbur lirinë.
Edhe te “Pallati i ëndrrave” të Kadaresë, pa e kuptuar Mark Alemi bëhet ingranazh i sistemit.
Është një nga paralajmërimet më aktuale të letërsisë distopike. Njeriu mund të heqë dorë nga liria jo vetëm nga frika, por edhe nga rehatia.
Por distopia nuk mbetet brenda faqeve të librave. Ajo është edhe një kategori politike.
Në politikë, distopia fillon kur pushteti e identifikon veten me shtetin, partinë me kombin dhe liderin me interesin publik. Kur institucionet shndërrohen në zgjatime të vullnetit politik; drejtësia perceptohet si instrument i pushtetit, zgjedhjet reduktohen në mekanizma legjitimimi dhe kritika trajtohet si armiqësi.
Ajo shfaqet kur qytetari nuk pyet më nëse qeveria po qeveris mirë, por nëse është mjaftueshëm besnik ndaj saj. Kur opozita nuk shihet si alternativë demokratike, por si armik që duhet asgjësuar politikisht. Kur propaganda zë vendin e debatit dhe bindja vendin e argumentit.
Distopia politike nuk ka gjithmonë nevojë për tanke në rrugë, tela me gjemba apo burgje plot të burgosur politikë. Ndonjëherë mjafton kontrolli i informacionit, kapja e institucioneve, presioni ekonomik, frikësimi i individit dhe normalizimi i padrejtësisë. Diktatura moderne mund të mos të ndalojë të flasësh, por mund të bëjë gjithçka që fjala jote të mos dëgjohet. Mund të mos ta ndalojë votën, por mund ta kushtëzojë atë. Mund të mos të të burgosë për mendimin tënd, por mund të të bëjë të mendosh dy herë përpara se ta shprehësh.
Në shoqëri, distopia është edhe më e vështirë për t’u dalluar, sepse ajo nuk vjen gjithmonë nga lart. Ajo ndërtohet edhe nga ne, përmes indiferencës, oportunizmit, frikës, urrejtjes dhe gatishmërisë për të pranuar çdo padrejtësi, për sa kohë ajo nuk na prek personalisht.
Është distopi kur njeriu vlerësohet nga dobia që ka për dikë, nga vota që jep, nga paratë që zotëron apo nga lidhjet që ka. Kur arsimi prodhon diplomë, por jo mendim kritik; kur media prodhon zhurmë, por jo informacion; kur rrjetet sociale prodhojnë turma të zemëruara, por jo qytetarë të ndërgjegjshëm.
Është distopi kur gënjeshtra nuk na shqetëson më, e vërteta na bezdis, urrejtja na argëton dhe kur poshtërimi i tjetrit na jep kënaqësi. Kur njerëzit nuk kërkojnë më argumente, por vetëm konfirmimin e paragjykimeve të tyre. Kur nuk kemi më nevojë të na imponojnë mendimin, sepse kemi filluar ta censurojmë vetë veten.
Ky është rreziku. Distopia nuk ka nevojë të na marrë lirinë me forcë, nëse arrin të na bindë se liria nuk na duhet.
Në një shoqëri të tillë, nuk është e nevojshme që të gjithë të bëhen bashkëpunëtorë të pushtetit. Mjafton që shumica të bëhen spektatorë. Disa përfitojnë, disa heshtin, disa frikësohen dhe disa të tjerë bindin veten se asgjë nuk mund të ndryshojë. Kështu, e jashtëzakonshmja bëhet e zakonshme, e papranueshmja bëhet e pranueshme dhe absurdi fillon të duket normal.
Në fund të fundit, distopia nuk është domosdoshmërisht një e ardhme e keqe e largët. Ajo mund të jetë një e tashme që kemi mësuar ta pranojmë.
Orwell na paralajmëroi për një botë ku Big Brother na vëzhgon. Huxley për një botë ku na mbajnë të zënë që të mos mendojmë. Bradbury për një botë ku librat dhe mendimi kritik bëhen të padëshirueshëm…
Të gjithë shkrimtarët distopikë, në thelb, na flasin për të njëjtën gjë. Humbjen e njeriut përballë një sistemi që dëshiron individë të bindur dhe jo qytetarë të lirë.
Në realitet distopia më e rrezikshme është ajo ku njerëzit nuk arrijnë më ta dallojnë padrejtësinë nga normaliteti.
