Data e sotme, 14 prill, shënon Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ish-Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale, ka theksuar se kjo datë do të bëhet zëri i ndërgjegjes dhe thirrja për drejtësi para botës.
“Si çdo 14 prill, zëri i të mbijetuarave bëhet zëri i ndërgjegjes sonë kombëtare dhe thirrje për drejtësi para botës.
Nderojmë mijëra gra dhe burra që i mbijetuan dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ata mbajnë në vete dhimbje të thellë, por mbi të gjitha mbajnë forcën që e ka bërë të mundur që e vërteta të dalë në dritë.
Zëri i tyre sot dëgjohet në institucionet tona, në çdo cep të Republikës dhe në skenën ndërkombëtare. Ky zë është ngritur përmes fjalëve të tyre, përmes guximit të tyre dhe përmes përkushtimit tonë të përbashkët për drejtësi.
Përgjatë mandatit si Presidente, e paraprakisht si Kryetare e Kuvendit e deputete, kam qenë pranë tyre në çdo hap. Nga përkrahja konkrete për iniciativat e tyre, tek përfshirja e drejtpërdrejtë e të mbijetuarave në institucionet tona kur i emërova ato si të deleguara të posaçme të Presidentes, kjo kauzë ka marrë vendin që meriton në agjendën shtetërore e ndërkombëtare”, shkruan ajo.
Më tej, Osmani shkruan se dhuna seksuale përgjatë luftës në Kosovë u përdor si një instrument lufte, e ndaj kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi ndërkombëtare.
“Së bashku kemi shkuar në Parlamentin Evropian, në Kombet e Bashkuara dhe në forume të tjera ndërkombëtare, që bota ta dëgjojë të vërtetën nga vetë ato që e kanë përjetuar. Përballë përpjekjeve të Serbisë për ta shtrembëruar historinë, e vërteta e Kosovës qëndroi e fortë dhe e qartë.
Gjatë luftës në Kosovë, dhuna seksuale u përdor si instrument lufte nga Serbia. Ky fakt është i dokumentuar nga dëshmi të panumërta dhe nga vetë zërat e të mbijetuarave që vazhdojnë të flasin me guxim. Kjo e vërtetë kërkon drejtësi dhe përgjegjësi ndërkombëtare.
Sot, ne qëndrojmë me të mbijetuarat tona.
Me dinjitetin e tyre.
Me të vërtetën.
Me vendosmërinë tonë që kjo histori të dëgjohet në çdo platformë ndërkombëtare.
Kosova flet me zërin e tyre.
Dhe drejtësia mund të vonojë, por një ditë do ta dëgjojë këtë zë”, përfundoi ajo.
Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë. Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm 2 mijë persona./mxh
