Të paktën 14 persona janë vrarë në Jemen nga sulmet ajrore që dyshohen se janë kryer nga Arabia Saudite, raportoi sot një medie e lidhur me rebelët Houthi, të mbështetur nga Irani.
Sulmet vijnë në një kohë kur përplasjet mes dy palëve po intensifikohen.
Sipas televizionit “Almasirah”, sulmet goditën, mes të tjerash, një pikë karburanti dhe një treg në provincën Al-Xhaf, në veriperëndim të Jemenit, pranë kufirit me Arabinë Saudite.
Nga bombardimet mbetën të plagosur edhe 10 persona, mes tyre gra dhe fëmijë.
Sulmet ndodhën një ditë pasi rebelët Houthi goditën objektiva në Arabinë Saudite, duke shënjestruar rafinerinë më të madhe të vendit dhe Ministrinë e Mbrojtjes në Riad.
Luftëtarët Houthi u bënë thirrje dje njerëzve të evakuonin menjëherë aeroportin e Adenit, në jug të Jemenit, ku ndodhet selia e qeverisë së mbështetur nga Arabia Saudite.
“Forcat tona të armatosura u bëjnë thirrje personave të pranishëm në aeroportin e Adenit të largohen menjëherë nga zona, për shkak të pranisë së një avioni transportues ushtarak të armikut saudit, që transporton armë të destinuara për të vrarë popullin jemenas”, shkroi në rrjetin social X zëdhënësi ushtarak i lëvizjes, Jahja Sari.
Sipas një burimi të policisë përpara kësaj thirrjeje, një raketë e lëshuar nga rebelët Houthi kishte rënë brenda perimetrit të aeroportit. Burimi shtoi se në atë moment në aeroport ndodhej edhe një avion ushtarak saudit, por ai nuk u godit dhe u ngrit në fluturim pak më vonë.
Rifillimi i luftimeve në Jemen në muajin korrik, pas katër vitesh qetësie relative, ka hapur një front të ri në konfliktin më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Që nga fillimi i tetorit, rebelët Houthi kanë goditur pothuajse çdo ditë Arabinë Saudite, e cila është kundërpërgjigjur me bombardime ndaj pozicioneve të rebelëve në territorin jemenas.
Përballë ofensivës së Huthive, Riadi është përpjekur të sigurojë mbështetje ndërkombëtare, por deri më tani aleati i tij amerikan nuk i është përgjigjur kësaj kërkese. /mxh
