Last Updated on 08/10/2026 by EL
Franca ka pezulluar përdorimin e granatave zhurmuese nga policia gjatë protestave studentore që kanë përfshirë së fundmi vendin. Vendimi vjen pasi një 15-vjeçar humbi një dorë në fillim të kësaj jave, si pasojë e një granate që iu hodh nga policia.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, deklaroi se kishte kërkuar pezullimin e përdorimit të tyre derisa të “sqaroheshin” plotësisht rrethanat e incidentit të së hënës në Lens.
Protestat dhe ndërprerja e mësimit vijuan edhe ditën e djeshme, me më shumë se 500 shkolla të mbyllura plotësisht ose pjesërisht.
Kryeministri Sebastien Lecornu ka mbrojtur reagimin e policisë, pasi disa grupe kanë shprehur shqetësim për përdorimin e forcës, të cilën e kanë konsideruar joproporcionale ndaj adoleshentëve. Në një fjalim drejtuar kombit të mërkurën e djeshme, Lecornu mohoi se forcat e sigurisë kishin marrë “urdhra për t’u përballur” me të rinjtë.
Ai tha se qeveria do të shqyrtojë kërkesat e studentëve dhe premtoi se në fund të tetorit do të paraqesë një sërë propozimesh, duke nisur nga rinovimi i ndërtesave shkollore deri te vënia në dispozicion e më shumë mësuesve. Megjithatë, ai nuk dha detaje të mëtejshme.
“Zemërimi i të rinjve nuk vjen nga askund”, tha ai./ET
