Last Updated on 11/03/2025 by adminfjala
2 ditë para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë, presidenti hodhi në treg kriptomonedhën e tij: $Trump.
“Kam ndërtuar një sistem pagese elektronike, i cili është plotësisht pa ndërmjetës, gjë që eliminon nevojën për garantues”. Me këtë deklaratë të shkurtër bërë më 31 tetor 2008, Satoshi Nakamoto pagëzoi Bitcoin, një monedhë virtuale pa vende emetuese apo banka qendrore.
Në vend të tyre ishte blockchain, ose një libër publik dixhital i transaksioneve, i pandryshueshëm dhe i përditësuar nga komuniteti i përdoruesve, i cili kërkon shumë fuqi llogaritëse dhe po aq energji. Kanë kaluar mbi 16 vjet që nga shfaqja e Bitcoin, dhe identiteti i krijuesit të tij mbetet ende një mister.
Gjithçka që dimë për të apo ata, është se ata kanë pasur gjithmonë 1 milion Bitcoin, të cilat me kursin aktual korrespondojnë me 84 miliardë euro. Ndërkohë, shpikja e Satoshit është larguar nga utopia origjinale e një monedhe anarkike, duke u kthyer në një lloj “ari dixhital”: i rrallë sepse sasia maksimale e prodhimit e caktuar nga algoritmi është 21 milionë; dhe e dëshiruar pikërisht sepse është e pakët dhe me besimin se vlera në rritje është e destinuar të vazhdojë.
Për këtë arsye, ka tërhequr edhe investitorë të mëdhenj si Blackrock dhe Intesa Sanpaolo. Por ne e dimë se përdoret gjerësisht edhe në botën e pastrimit të parave. Me kalimin e kohës, janë përhapur imitime të pafundme të Bitcoin, kryesisht pa ndonjë vlerë tjetër përveç asaj që njihet nga blerësit për arsye arbitrare dhe të paqëndrueshme.
Pra flasim për një treg me vlerë mbi 3.300 miliardë dollarë, ose 4 herrë më shumë se vlera totale e bursës në Itali. Disa nga këto asete dixhitale, bazohen në blockchain-in e tyre origjinalë. Të tjerët mbështeten tek ato të të tjerëve për të reduktuar kohën dhe kostot e zhvillimit.
Për shembull faqet si Coinfactory, ju lejojnë të krijoni një “token dixhital” në pak minuta dhe me një kosto prej rreth 80 euro. Gjatë vitit të kaluar, u shfaqën mbi 2 milionë “token” të rinj, me qëllime që nuk janë gjithmonë të qarta: 40.7 për qind e këtyre monedhave, janë të listuara në kripto-shkëmbime, por në fakt janë të fjetura, me zero tregtim 30 ditët e fundit.
Pse? Nganjëherë, këto projekte janë thjesht për argëtim ose për nevoja kërkimore. Sepse nuk duhet të harrojmë, se kriptomonedhat dhe teknologjia themelore e blockchain po sjellin edhe risi. Në raste të tjera, monedhat e fjetura janë përdorur ose do të përdoren për qëllime mashtruese, të njohura si “tregtia e larjes” dhe skema “pompo dhe shkarko”.
Në rastin e parë, një grup njerëzish ose një ushtri robotësh shkëmbejnë vazhdimisht një aktiv dixhital për të rritur artificialisht vlerën e tij dhe më pas ia shesin një blerësi që nuk dyshon. Ndërsa në të dytin, zotëruesit e një kriptomonedhe ose më shpesh krijuesit e saj, i zmadhojnë perspektivat e saj në mediat sociale, duke nxitur rritjen e çmimeve së fundi duke likuiduar portofolet e tyre në treg, dhe arkëtuar fitime të mëdha në kurriz të investitorëve të fundit që besuan në të.
Kompania kërkimore Chainalysis, vlerëson se skemat “pompo dhe shkarko”, përbënin afërsisht 3.6 për qind të të gjitha kriptomonedhave të krijuara vitin e kaluar. Kjo është e barabartë më shumë se 74.000 mashtrime të mundshme. Një rast i njohur është ai i Dogecoin, një kriptomonedhë e krijuar në vitin 2013 si një memecoin e mbështetur nga Elon Musk.
Gjatë viteve 2019-2021, bosi i Teslas publikoi një seri postimesh për të lavdëruar Dogecoin: “Do të jetë monedha e ardhshme e planetit tonë. E bleva nj֝ë për djalin tim”! Në 2 vjet çmimi i saj u rrit me 36.000 për qind. Por më 8 maj 2021, i ftuar në emisionin humoristike Saturday Night Live, Musk tha se Dogecoin është “një mashtrim”.
Kaq mjaftoi për të shkaktuar një valë shitjesh, që në vetëm pak muaj sollën rënien me 90 për qind të vlerës së kriptomonedhës. Një grup investitorësh, ka nisur një padi kolektive kundër tij për manipulim të tregut, duke kërkuar dëmshpërblim prej 258 miliardë dollarësh.
Padia u rrëzua nga një gjykatë civile në Nju Jork. “Deklaratat e Musk mbi kriptomonedhën ishin aspirative dhe bombastike, prandaj asnjë investitor i arsyeshëm nuk duhej t’u kishte besuar”, theksoi gjyqtari në vendimin e tij. Nga ana tjetër, SHBA nuk ka ende një rregullore specifike për Bitcoin & co.
Ndaj çdo masë represive, u besohet autoriteteve individuale si Komisioni i Shkëmbimit të Sigurisë dhe Departamenti i Drejtësisë, të cilët vitet e fundit kanë ndëshkuar influencuesit dhe kompanitë. Por ato nuk kanë gjasa të aktivizohen nën administratën e re, duke pasur parasysh se industria e kriptove ka mbështetur me miliona donacione fushatën zgjedhore të Trump. Presidenti i ri, që në vitin 2021 e kishte quajtur Bitcoin një mashtrim, tani ka ndryshuar mendje.
Në shtator 2024, Trump dhe familja e tij themeluan World Liberty Financial, një platformë që synon të “demokratizojë qasjen në sektorin financiar, dhe të forcojë statusin global të dollarit”. Kompania ka prodhuar tokenin e saj Wlfi, dhe në pak muaj kanë shitur 24 miliardë copë, me një çmim që rritet deri në 5 cent secila, duk gjeneruar mbi gjysmë miliardë fitim.
Më pas, 2 ditë para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë, presidenti hodhi në treg kriptomonedhën e tij: $Trump. Duke filluar me një çmim 18 cent, memecoin u rrit në 75 dollarë, përpara se të binte në 15 dollarë, duke shkaktuar 2.2 miliardë dollarë humbje për 885.000 investitorë. Por jo të gjithë humbën.
Për shembull, një tregtar anonim vendosi një bast miliona dollarësh mbi $Trump vetëm 2 minuta pas njoftimit të tij. Dy ditë më vonë, shiti gati 6 milionë token për një fitim prej 109 milionë $. Një kohë shumë e dyshimtë. Sidoqoftë, pronari fiton gjithmonë.
Organizata Trump mban 800 milionë dollarë kriptmonedhën $Trump dhe do t’i lëshojë ato në treg gjatë 3 viteve të ardhshme. Kompania fiton një komision për çdo tregti me $Trump. Sipas llogaritjeve të Chainalysis, 349.6 milionë dollarë kanë mbërritur tashmë në portofolin e Organizatës Trump në pak më shumë se një muaj.
Plani i administratës së re amerikane, synon ta bëjë Amerikën qendrën e financave dixhitale globale, përfshirë krijimin e një rezerve kombëtare Bitcoin./ SM