Përgatiti Leonard Veizi
Ndihet dukshëm se ka male që lartohen në heshtje, ashtu siç ja dhe male që flasin. Në zemër të Dakotës së Jugut, në një masiv graniti që shekujt e kishin lënë të paprekur, dora e njeriut vendosi të gdhendë një mit kombëtar…
…Në vitin 1933, në kulmin e një Amerike të goditur nga Depresioni i Madh, përurimi i memorialit presidencial në “Maunt Rashmor” shënoi jo vetëm një arritje artistike, por një akt simbolik besimi në idenë e Shteteve të Bashkuara. Katër fytyra kolosale, të ngritura mbi 18 metra secila, dolën nga shkëmbi si perëndi laike të një republike moderne.
Ideja që lindi nga turizmi
Projekti nuk nisi si një monument i madh shtetëror. Ideja u hodh në vitin 1923 nga historiani i Dakotës së Jugut, Duon Robinson, i cili kërkonte një mënyrë për të tërhequr vizitorët në rajon. Fillimisht, ai mendoi për figura të “Perëndimit të Egër”, por kur projekti iu besua skulptorit ambicioz Gatson Borglum, vizioni ndryshoi rrënjësisht. Borglum, një artist me temperament epik, e pa malin si një kanavacë për historinë botërore. Ai argumentonte: “Qëllimi i memorialit është të shprehë themelimin, zgjerimin, ruajtjen dhe unifikimin e Shteteve të Bashkuara përmes busteve kolosale të presidentëve tanë.”
Skulpturë me dinamit
Puna nisi në vitin 1927 dhe graniti i fortë kërkonte metoda brutale por të saktë. 90% e shkëmbimit u hoq me dinamit përmes shpërthimeve të kontrolluara. 400 punëtorë punuan në lartësi marramendëse, të varur në litarë mes pluhurit dhe erërave të ashpra. Gjatë 14 viteve punë, pavarësisht rreziqeve ekstreme, nuk u shënua asnjë humbje jete nga aksidentet në shkëmb.
Katër fytyra, katër epoka
Zgjedhja e presidentëve nga Borglum ishte një hartë e vetë rritjes së Amerikës:
Xhorxh Uashington: Simbolizonte lindjen e kombit.
Tomas Xheferson: Përfaqësonte zgjerimin territorial (Blerja e Luizianës).
Abraham Linkoln: Mishëronte ruajtjen e Unionit gjatë Luftës Civile.
Teodor Ruzvelt: Përfaqësonte fuqizimin modern dhe rolin global të vendit.
Projekti mbeti pjesërisht i papërfunduar. Skulptori synonte t’i gdhendte figurat deri në bel dhe të ndërtonte një “Sallë të Dokumenteve” brenda malit, por vdekja e tij në vitin 1941 dhe mungesa e fondeve bënë që punimet të mbylleshin nga i biri, Linkoln Borglum.
Midis krenarisë dhe polemikës
Për shumë njerëz, Maunt Rashmor është një “altar i lirisë”. Megjithatë, monumenti mbetet një plagë e hapur për popullsinë vendase. Mali ndodhet në “Black Hills” apo Kodrat e Zeza, territor i shenjtë për fiset Lakota Sju, të cilët e konsiderojnë këtë një tokë të grabitur në shkelje të traktateve historike. Ndërsa fytyrat presidenciale vështrojnë horizontin me qetësi stoike, historia që ato përfaqësojnë mbetet komplekse — një përzierje e idealeve të lirisë me dhimbjen e kolonizimit.
Graniti si kujtesë e qëndrueshmërisë
Përurimi i vitit 1933 ishte një deklaratë force. Në një kohë kur bankat falimentonin dhe papunësia rritej, ky mal u bë metafora e një kombi që refuzonte të thyhej.
Sot, ato fytyra graniti nuk lëvizin dhe nuk flasin. Por në heshtjen e tyre, ato vazhdojnë të rrëfejnë tregimin e një njerëzimi që kërkoi ta përjetësojë veten në shkëmb — aty ku arti, politika dhe ambicia takohen me përjetësinë.
