Në një marrëdhënie, mënyra se si partnerët komunikojnë nuk ka rëndësi vetëm gjatë debateve apo situatave të vështira. Edhe momentet e bukura, si një lajm i mirë, një sukses në punë apo një udhëtim romantik, mund të tregojnë shumë për mënyrën se si një çift funksionon.
Një studim i publikuar në vitin 2021 në revistën Frontiers in Psychology nënvizoi rëndësinë e komunikimit të shëndetshëm në çift dhe mënyrën se si reagimet e partnerit mund të ndikojnë në kënaqësinë me marrëdhënien. Në veçanti, janë dy situata ku reagimi i partnerit mund të bëjë një ndryshim të madh.
1. Si sillet partneri juaj gjatë një debati?

Konfliktet janë pjesë normale e marrëdhënieve, por mënyra se si një çift përballet me to mund të jetë më e rëndësishme sesa vetë arsyeja e debatit.
Toni i zërit, ndërprerja e vazhdueshme e tjetrit, minimizimi i shqetësimeve apo një qëndrim mbrojtës mund ta përkeqësojnë situatën. Edhe tërheqja totale nga biseda, kokëfortësia ose refuzimi për të dëgjuar mund të dëmtojnë marrëdhënien me kalimin e kohës.
Në të kundërt, një partner që tregon mirëkuptim dhe kujdes, edhe kur nuk është dakord, ndihmon në krijimin e një ndjenje sigurie. Kjo nuk do të thotë se duhet të bini dakord për gjithçka, por se mund të shprehni pakënaqësinë pa e poshtëruar apo sulmuar tjetrin.
Psikologët flasin edhe për mënyrën se si partnerët përpiqen të rikthejnë harmoninë pas një konflikti. Këtu përfshihen disa forma reagimi:
Reagimi aktiv dhe konstruktiv: Të dy partnerët flasin hapur për problemin dhe përpiqen të gjejnë një zgjidhje së bashku.
Reagimi pasiv dhe konstruktiv: Njëri partner mund të zgjedhë të falë dhe t’i japë kohë situatës të qetësohet, pa shprehur menjëherë zemërimin.
Reagimi aktiv dhe destruktiv: Partneri përgjigjet me kritika, sulme ose edhe kërcënime për t’i dhënë fund marrëdhënies.
Reagimi pasiv dhe destruktiv: Problemi injorohet dhe partneri tërhiqet, duke shmangur çdo përpjekje për të komunikuar apo zgjidhur situatën.
Nga këto, mënyra aktive dhe konstruktive konsiderohet më e dobishme për marrëdhënien. Ajo mund të përfshijë dëgjimin e vërtetë të partnerit, pranimin e gabimeve, kërkimin e një kompromisi dhe, kur emocionet janë shumë të forta, marrjen e pak kohëve për t’u qetësuar përpara se biseda të vazhdojë.
Fundja, një debat nuk përcakton domosdoshmërisht shëndetin e një marrëdhënieje. Shumë më tepër rëndësi ka mënyra se si çifti sillet me njëri-tjetrin gjatë konfliktit dhe pas tij.
2. Si reagon partneri juaj kur ju ndodh diçka e mirë?

Jo vetëm momentet e vështira janë një provë për marrëdhënien. Edhe mënyra se si partneri reagon ndaj lajmeve tuaja të mira mund të tregojë shumë.
Në psikologji, ndarja e lajmeve të mira dhe e momenteve të gëzueshme me partnerin njihet si “capitalization”. Kur i tregoni partnerit për një sukses, një promovim, një udhëtim që mezi prisni ose edhe diçka të vogël që ju ka bërë të lumtur, reagimi i tij mund ta forcojë ose dobësojë lidhjen.
Një reagim aktiv dhe konstruktiv karakterizohet nga entuziazmi, interesimi i sinqertë dhe mbështetja. Për shembull, në vend që të mjaftohet me një “shumë bukur”, partneri mund të bëjë pyetje, të tregojë gëzim dhe të kërkojë të dijë më shumë për atë që ju ka emocionuar.
Këto reagime mund t’ju bëjnë të ndiheni të vlerësuar dhe të kuptuar. Ato krijojnë më shumë afërsi emocionale dhe ju japin ndjesinë se partneri është realisht i interesuar për lumturinë tuaj.
Në anën tjetër, një reagim i ftohtë, indiferent ose kritik mund t’ju bëjë të ndiheni sikur emocionet tuaja nuk kanë rëndësi. Nëse kjo përsëritet vazhdimisht, mund të krijojë distancë dhe pakënaqësi brenda marrëdhënies.
Madje, studimet kanë gjetur lidhje mes mënyrës se si partnerët reagojnë ndaj lajmeve të mira dhe kënaqësisë në marrëdhënie, përfshirë edhe jetën seksuale. Kur një person ndan gëzimin e partnerit, ai i jep këtij të fundit një sinjal të qartë: “Lumturia jote ka rëndësi për mua”.
Dhe kjo nuk lidhet vetëm me ngjarjet e mëdha. Edhe përpjekjet e vogla për të krijuar lidhje emocionale gjatë ditës kanë rëndësi. Nëse partneri ju tregon për një lule të bukur që pa gjatë shëtitjes ose thotë se sa shumë i pëlqeu koha që kaluat bashkë, një përgjigje e vëmendshme mund ta kthejë atë moment të vogël në një mundësi për t’u afruar më shumë.
Në fund, një marrëdhënie e shëndetshme nuk ndërtohet vetëm duke shmangur debatet. Ajo ndërtohet edhe duke ditur si të qëndroni pranë njëri-tjetrit kur gjërat bëhen të vështira dhe si të gëzoheni sinqerisht për sukseset e njëri-tjetrit. Të dyja këto situata tregojnë nëse partnerët ndihen të dëgjuar, të vlerësuar dhe emocionalisht të sigurt pranë njëri-tjetrit./k.m
