Të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto shënuan rritje modeste në vitin 2025, duke shënuar 28.5% të PBB-së, nga 28.2% që ishin në 2024, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Gjatë vitit të kaluar, pesha e të ardhurave totale në raport me ekonominë u zgjerua me 0.3 pikë përqindje, por sërish Shqipëria mbetet shumë poshtë mesatares rajonale dhe asaj të BE-së për ketë tregues.
Në të ardhurat tatimore, rritja rezulton edhe më e theksuar se ajo e totalit buxhetor. Ky tregues u rrit me 0.8 pikë përqindje, duke u zhvendosur nga niveli 26.2% në vitin 2024 në 27.0% të PBB-së në vitin 2025.
Të dhënat historike dëshmojnë për ecuri me luhatje të forta të financave publike shqiptare gjatë tri dekadave të fundit. Kthesa u bë më e dukshme në fillim të viteve 2000, kur pesha e të ardhurave ndaj ekonomisë u stabilizua mbi pragun e 25%, duke reflektuar forcimin e institucioneve dhe formalizimin e ekonomisë pas krizave të njëpasnjëshme të tranzicionit.
Rritja e të ardhurave tatimore me 0.8 pikë përqindje brenda një viti tregon një dinamikë specifike që shkon përtej rritjes natyrale të ekonomisë. Rolin më të fortë në rritjen e të ardhurave shtesë vitin e kaluar e pati rritja e pagave si në sektorin privat dhe atë shtetëror. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të ardhurat shtesë vitin e kaluar erdhën nga tatimet mbi pagën.
Gjithashtu Shqipëria ka përjetuar një fluks të lartë turistësh, gjë që ka rritur kërkesën e brendshme për shërbime. Kjo ka rritur të ardhurat nga taksat indirekte (si TVSH dhe akciza).
Pavarësisht progresit, vendi ynë mbetet e fundit në Rajon dhe BE për sa i përket mbledhjes së të ardhurave. Në raport me fqinjët e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria pozicionohet poshtë mesatares rajonale, ku vende si Serbia dhe Mali i Zi arrijnë të mbledhin mbi 38% deri në 42% të PBB-së në arkën e shtetit. Ky hendek me fqinjët tregon se ekonomia shqiptare vuan ende nga një nivel më i lartë i informalitetit dhe një bazë tatimore më e ngushtë.
Hendeku në krahasim me Bashkimin Europian bëhet akoma më e theksuar. Mesatarja e vendeve të BE-së për të ardhurat buxhetore u luhat rreth nivelit 49% të PBB-së më vitin 2024 sipas të dhënave nga Eurostat, ku shtetet me model social të zhvilluar si Franca apo vendet skandinave i kalojnë shpesh 50% të PBB. Shqipëria, me vetëm 28.5%, mbledh pothuajse 17 pikë përqindje më pak se mesatarja europiane./reporter.al
