Last Updated on 07/04/2026 by EL
Në laboratorin e Qendrës Mjekësore të Riprodhimit të Asistuar, pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, që prej nisjes së programit kanë ardhur në jetë 22 bebe, ndërsa nëntë të tjera janë në pritje.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në një video shpjeguese të të gjithë këtij procesi, informon se çdo hap udhëhiqet nga saktësia shkencore dhe përkushtimi profesional.
Sipas MShMS-së, vetëm gjatë këtij viti, përmes këtij shërbimi të financuar nga buxheti i shtetit, pritet të vijnë në jetë 9 bebe.
Mjekja e këtij laboratori, shprehet se gjithçka është ndërtuar për të siguruar kushtet optimale për zhvillimin embrional.
“Hapi i parë është marrja e ovocideve nga pacientja, njëkohësisht dhe depozitimi i materialit nga partneri. Menjëherë mbasi kemi marrë lëngun ovarial përmes stetoskopit ne do të bëjmë identifikimin e ovocideve. Lëngu ovarian do të hidhet në një enë 90-100 mm, më pas bëjmë shpëlarjen e ovocidit që kemi gjetur. I vendosim në një medium ,i cili ruan temperaturën dhe PH konstant dhe e inkubojmë për dy orë”, tha mjekja.
Më pas, përgatitet pjata e denudimit, si hapi i dytë i kësaj procedure, duke përcaktuar shkallën e maturimit.
“Mbasi kemi bërë denudimin e ovocideve, i vendosim në një medium dhe i inkubojmë për dy orë të tjera. Vendosim materialin në pjatën e X dhe përgatitemi për procedurën. Kjo është një nga procedurat më të rëndësishme në laborator që kërkon jo vetëm aftësi shumë të larta teknike, por edhe një kujdes maksimal në mënyrë që të reduktojmë stresin oksidativ të ovocidit”, vijoi ajo.
Ovocidet e injektuara kalohen në inkubator dhe lihen aty deri në ditën e pestë. E gjithë procedura finalizohet me transfertën embrionale. Në ditën e pestë, zgjidhen embrionet që kanë cilësinë më të lartë dhe më pas transferohen te pacientja.
Sipas MShMS-së, në këtë qendër të parë publike të riprodhimit mjekësor të asistuar, kanë ardhur në jetë 22 bebe, të gjitha lindje të shëndetshme
Mjeku obstetër-gjinekolog pranë SUOGJ “Koço Gliozheni”, shprehet se aktualisht janë nëntë nëna shtatzënë, që pritet të sjellin në jetë fëmijë përmes fekondimit të asistuar./ET
