Last Updated on 15/07/2025 by adminfjala
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe disa ministrave të kabinetit të tij, lidhur me zgjedhjet vendore të 11 majit 2025. Në një deklaratë për mediat, Berisha i cilësoi ato si “farsa më e shëmtuar zgjedhore që nga koha e diktaturës”, duke akuzuar qeverinë për përdorim të parave publike në funksion të blerjes së votave.
Sipas Berishës, qeveria përdori skemën e garancisë sovrane për kreditë bujqësore në mënyrë të paligjshme gjatë fushatës zgjedhore, duke e kthyer atë në një mjet elektoral për të favorizuar “fermerët e lidhur me pushtetin”. Ai pretendon se janë shpërndarë 200 milionë euro garanci, ndërkohë që kodi zgjedhor ndalon transaksione të tilla gjatë periudhës zgjedhore.
“Nuk ishte ndihmë për fermerët, por një skemë për të blerë vota. Nga një fond vjetor prej 32 milionë euro, u premtuan 250 milionë. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit zgjedhor dhe e standardeve demokratike,” deklaroi Berisha./e,t