Last Updated on 24/11/2026 by EL
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka festuar 251-vjetorin e krijimit të Trupës së Marinsave amerikane, në një ceremoni të organizuar në kuadër të Ballos së Marinsave.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada bëri të ditur se gjatë aktivitetit u nderua trashëgimia 251-vjeçare e trupës, si dhe ata që vazhdojnë të shërbejnë në këtë mision. Një nga momentet tradicionale të ceremonisë ishte prerja e tortës, simbol i festimit të përvjetorit.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Eric Wendt, falënderoi marinsat që shërbejnë për mbrojtjen e Ambasadës së SHBA-së në Shqipëri, ndërsa vlerësoi edhe familjet e tyre për mbështetjen që u japin gjatë shërbimit.
Në këtë përvjetor u nderuan gjithashtu marinsat që vijojnë detyrën në vende të ndryshme të botës, si dhe u kujtuan ata që kanë humbur jetën në shërbim të Shteteve të Bashkuara.
“Gëzuar ditëlindjen, Marinsa!”, përfundon mesazhi i Ambasadës amerikane./et
