Last Updated on 24/11/2026 by EL
Hangarët e dikurshëm të avionëve ushtarakë në ish-fushën e aviacionit në Vlorë, sot shërbejnë si e vetmja strehë për të paktën pesë familje rome, të cilat, në kushte përtej imagjinatës njerëzore, jetojnë prej vitesh nën këta hangarë.
“Ja, këtu fle. Kjo është dhoma, krevati. Kështu e kam rrethuar pak me tyl, që të gënjej pak mendjen. Gënjej pak veten, sepse mua më duket sikur janë mure. Thashë, jam pak rrëmujë”.
Një nga këto banore, pensioniste, tregon kushtet në të cilat jeton, duke u ngushëlluar me faktin se të paktën nuk po fle në rrugë. “Për mua është shumë keq. Kam gjashtë vjet. Këtu jam pa dyer, pa dritare”, tregon ajo.
“Këtu jam pa dritë, këtu jam pa ujë. Këtu jam pa dritare. Jam në një ambient në mes të qiellit. Kam një djalë të sëmurë, 44 vjeç. Ai fle në rrugë, sepse nuk vjen këtu, pasi ka problemet e tij. Është i sëmurë me depresion dhe nuk mundet të jetojë këtu. Unë jam femër, mbi të gjitha, dhe nuk mund të rri në rrugë”.
Këta janë njerëz që, në këtë botë dhe në këto kushte, duket se nuk kanë më asnjë shpresë. “Po tani ku do të përkoj? Sipas situatës që është. Nuk jam shumë e sigurt, por 99%”.
Bashkia e Vlorës, ndihmën e vetme që u ofron, është bonusi i qirasë. Por familjet nuk arrijnë ta përfitojnë atë, pasi askush nuk u jep një kontratë për një banesë me qira. /et
