David dhe Victoria Beckham i janë kthyer një prej vendeve që mban një kujtim të veçantë nga fillimet e lidhjes së tyre.
Çifti udhëtoi drejt Portofinos dhe zgjodhi të qëndronte sërish në të njëjtin hotel ku kishin kaluar disa ditë bashkë në vitin 1997. Në atë kohë, lidhja e tyre ishte ende një sekret dhe dyshja përpiqej të jetonte romancën larg syve të medias.
David ndau në Instagram një fotografi nga rikthimi, duke sjellë në vëmendje historinë pas këtij vendi.
“29 vite më parë erdhëm në Portofino, në këtë hotel, përpara se dikush ta dinte se po takoheshim. Dhe ja ku jemi sërish”, shkroi ish-futbollisti krahas fotos ku shfaqet me Victoria-n.
Rikthimi vjen gati tri dekada pasi çifti vizitoi për herë të parë këtë destinacion, në një periudhë kur lidhja e tyre sapo kishte nisur dhe ende nuk ishte bërë publike.
Sot, David dhe Victoria janë prej vitesh të martuar dhe kanë ndërtuar një familje së bashku, ndërsa kthimi në atë hotel duket si një mënyrë për të rijetuar një prej momenteve të para të historisë së tyre të dashurisë./mxh
