Nëse po kërkoni diçka të re për të parë këtë muaj, nëntori vjen me disa premiera që premtojnë të na mbajnë para ekranit. Nga një grabitje spektakolare në Zvicër, te një histori e vërtetë mashtrimi në botën e kriptomonedhave dhe një komedi me sfond arkeologjik në Greqi, këto tri prodhime ofrojnë histori krejt të ndryshme nga njëra-tjetra.
Por çfarë i bën të veçantë? Përveç emrave të njohur në kast, secili prej tyre sjell një histori me potencial për të tërhequr vëmendjen e publikut. Ja cilat janë tri serialet që spikasin mes premierave të nëntorit.
1. 12 12 12
Një grabitje që kërkon 12 muaj përgatitje, por vetëm 12 orë për t’u realizuar. Kjo është ideja mbi të cilën ndërtohet seriali i ri me Jamie Dornan dhe Anthony Mackie, një histori që premton tension, aksion dhe lojë nervash mes kriminelëve dhe autoriteteve.
Ngjarja sillet rreth një grabitjeje të jashtëzakonshme në një bankë në Cyrih. Në njërën anë është agjenti i FBI-së Jack Strickland, i luajtur nga Anthony Mackie, ndërsa në anën tjetër Paul Galvin, personazhi që interpretohet nga Jamie Dornan. Ky i fundit është një kriminel që përpiqet të shkëputet nga e kaluara, por duket se nuk është aq e lehtë t’u shpëtosh zgjedhjeve të dikurshme.
Gjithçka bëhet edhe më interesante për shkak të rregullit që qëndron në qendër të historisë: nëse autoritetet nuk arrijnë t’i identifikojnë dhe arrestojnë përgjegjësit brenda 12 orëve pas grabitjes, çështja rrezikon të mbetet përgjithmonë e pazgjidhur.
Skenat e aksionit, shpërthimet, arratisjet dhe përballjet mes dy protagonistëve e bëjnë këtë një nga alternativat interesante të muajit për adhuruesit e serialeve kriminale. Madje, dinamika mes personazheve mund t’ju kujtojë disi atmosferën e La Casa de Papel.
2. The Altruists
Nga grabitjet në banka kalojmë te një prej skandaleve më të mëdha të botës së kriptomonedhave. The Altruists është një miniserial i bazuar në historinë e Sam Bankman-Fried, themeluesit të platformës së kriptomonedhave FTX, kolapsi i së cilës në vitin 2022 tronditi industrinë financiare dhe la pas humbje të mëdha.
Historia tregon ngritjen dhe rënien e Bankman-Fried, i cili interpretohet nga Anthony Boyle, si dhe marrëdhënien e tij me Caroline Ellison, të luajtur nga Julia Garner. Ellison ishte një prej figurave kryesore në këtë histori dhe përfundoi duke u deklaruar fajtore për përfshirjen e saj në mashtrimin financiar.
Pas skenarit qëndron Graham Moore, i njohur për filmin The Imitation Game, ndërsa përzgjedhja e aktorëve është një prej elementeve që tërheq vëmendjen që në fillim.
Por titulli The Altruists ngre një pikëpyetje interesante. Si mund të quhet kështu një histori që përfshin mashtrim dhe dëme të mëdha financiare? Sipas krijuesit të serialit, ideja lidhet me faktin se motivet e personazheve në fillim paraqiteshin si të pastra dhe të orientuara drejt një qëllimi më të madh. Pikërisht ky kontrast mes idealizmit të pretenduar dhe asaj që ndodhi më pas është një nga aspektet më interesante të historisë.
3. Dig
Për ata që preferojnë humorin, Dig sjell një histori krejt ndryshe. Amy Poehler interpreton një arkeologe të përkushtuar ndaj punës së saj, e cila udhëton drejt Greqisë për të marrë pjesë në një gërmim arkeologjik.
Kur ekipi i saj zbulon një thesar me vlerë të jashtëzakonshme, ajo duhet ta mbajë zbulimin të fshehtë nga profesori që e mbikëqyr, pasi ai ka zakon të përvetësojë meritat për punën e të tjerëve. Kështu, ajo që nis si një ekspeditë shkencore shndërrohet në një histori plot situata absurde, rivalitet dhe humor.
Në krah të Poehler është Hugh Laurie, i cili interpreton profesorin problematik. Seriali bazohet në romanin Excavations të Kate Myers dhe është krijuar në bashkëpunim me Mike Schur, emër i njohur për Parks and Recreation dhe The Good Place.
Një tjetër detaj interesant është se seriali ka edhe një prani të rëndësishme greke, përmes aktores Thalassini Vostantzoglou. Xhirimet janë zhvilluar në Greqi dhe në një studio në Los Angeles, ndërsa ekipi krijues është konsultuar me arkeologë për t’i dhënë historisë sa më shumë autenticitet.
Me një protagoniste që nuk dorëzohet lehtë, një profesor që kërkon të përfitojë nga puna e të tjerëve dhe një thesar që mund të ndryshojë gjithçka, Dig duket si zgjedhja ideale për ata që duan një komedi me pak mister dhe aventurë./k.m
