Last Updated on 10/09/2026 by Monika
30 vatra zjarri janë raportuar gjatë ditës së sotme në të gjithë territorin e vendit. 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive, 10 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 13 janë shuar plotësisht.
Në terren janë angazhuar mbi 400 forca operacionale vendore dhe lokale, të mbështetura nga 21 automjete zjarrfikëse. Në operacione janë përfshirë edhe Forcat e Armatosura me 133 efektivë, një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, një dron, 13 mjete dhe një autoambulancë.
Në Qarkun e Tiranës, aktive vijon të jetë vatra në Malin e Dajtit. Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar 25 zjarrfikës, 7 forca të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe 52 efektivë të Forcave të Armatosura, me 6 mjete dhe një autoambulancë. Sipas autoriteteve, zjarri nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, vatrat në Malin e Bërzhitës dhe në zonën e Malit me Gropa janë izoluar dhe vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.
Situatë më problematike paraqitet në Qarkun e Dibrës, ku mbeten aktive disa vatra zjarri. Flakët vijojnë në Lundre–Madhesh të Matit, në Cerrujë–Mali i Allushit në Klos, në Selishtë, si dhe në një vatër të re të raportuar në Pleshë, Klos. Ndërsa vatra në Qafën e Helmesit është nën mbikëqyrje.
Në Qarkun e Shkodrës, aktive mbetet vatra në Porav të Fushë-Arrëzit. Zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën kontroll dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Ndërsa vatra në Mnelë të Madhe është shuar plotësisht.
Në Qarkun e Fierit, zjarri në Peshtan vijon të monitorohet, ndërsa aktiv mbetet zjarri në Çërrilë të Mallakastrës. Në terren janë angazhuar forcat vendore, strukturat pyjore dhe ato të mbrojtjes civile. Në ndihmë të operacioneve kanë ndërhyrë edhe Forcat e Armatosura me një helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, situata paraqitet më e qëndrueshme. Vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje.
Në Opar të Korçës vijon puna në terren për monitorimin e situatës, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe nuk raportohet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Forcat operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo zonë ku situata e kërkon, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave, pasurisë dhe mjedisit./mxh
