Last Updated on 21/07/2026 by Anisa
Nga Eduard Zaloshnja
Dita e miratimit të një ndarjeje të re territoriale të vendit po afron. Sepse vetëm pas 10 muajsh do të zgjvillohen zgjedhjet bashkiake, dhe po nuk u miratua tani ndarja e re territoriale, mbetet të kryhet pas 4 vjetësh.
Një nga pyetjet më të rëndësishme rreth ndarjes së re territoriale është ajo për numrin e bashkive. Por që të arrihet tek ky numër, duhet bërë një shikim historik i ndarjes territoriale së Shqipërisë, qysh nga pavarësia e saj.
Nga shpallja e pavarësisë deri në Luftën e Dytë botërore, vendi ishte i ndarë në prefektura, nënprefektura, bashki dhe komuna (sipas kësaj hierarkie). Ajo ndarje bazohej në kritere gjeografike, historike dhe ekonomike (e ngjyrosur me ndikim franko-italian). Prefektët sidomos, ishin asokohe personalitete me fuqi të madhe politike.
Me ardhjen e Partisë Komuniste në fuqi, ndarja e mëparshme teritoriale u ndryshua gradualisht dhe u krijuan eventualisht 26 rrethe, komitetet ekzekutive të të cilave administronin qytetet dhe fshatrat brenda secilt rreth.
Me ardhjen e Partisë Demokratike në pushtet, u rikthye një version i ndarjes territoriale të dikurshme, me qarqe, rrethe, bashki dhe komuna. Por prefektët e qarqeve nuk e kishin më fuqinë politike që kishin patur paraardhësit e tyre. Vendi u nda në 12 qarqe, që përfshin në to 36 rrethe. Brenda çdo rrethi kishte bashki dhe komuna, drejtuesit e të cilave zgjidheshin drejtpërdrej nga banorët.
Në vitin 2014, Partia Socialiste propozoi që komunat dhe bashkitë e vogla të suprimoheshin dhe vendi të kishte vetëm 36 bashki – një për secilin rreth. Por për t’u miratuar ajo ndarje duheshin në Kuvend edhe votat e LS-së dhe PDIU-së. Dhe negociatat me to prodhuan një hartë me 61 bashki, e jo me 36…
Dekada e shkuar ka treguar se jo pak bashki të vogla (ndër 61) nuk kanë funksionuar siç duhet. Prandaj ka lindur nevoja që disa t’u përngjiten bashkive me të mëdha. Dhe pyetja është a do të shkohet tek versioni fillestar i PS-së me 36 bashki?
Po të ndiqen vetëm kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, është më se e arsyeshme që të kemi vetëm 36 bashki. Por sidoqoftë, duhen mbajtur parasysh edhe kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj.
Fjala vjen, nisur vetëm nga kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike, Kamza e Vora do të duhej t’i përngjiteshin Bashkisë Tiranë. Por kritere të tjera si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj. mund ta justifikojnë vazhdimin e tyre si bashki më vete. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Malsinë e Madhe dhe Vaun e Dejës në Qarkun Shkodër.
Nga ana tjetër, një bashki si Mirdita mund të mos i përmbushë dot kritere si ato të funksionalitetit, të dendësisë së popullsisë, të aftësisë fiskale, aftësisë së thithjes së fondeve për investime, etj., por ajo përmbush një kriter të fortë historik. Ka qënë e vetmja krahinë autonome në Shqipëri përgjatë 500 vjetëve të sundimit otoman!
Nisur nga sa më sipër, duhet që ndarja e re territoriale të rezultojë me më shumë se 36 bashki.
Ndarja në rajone (që do të bëhet për herë të parë në Shqipëri), do të realizohet në një fazë të dytë, ngaqë nuk lidhet me zgjedhjet lokale të pranverës 2027. Për atë ndarje, kriteret historike, gjeografike dhe ekonomike janë mëse të mjaftueshme. Bazuar në to, vendi mund të ndahet në 4 rajone: Rajoni Verior (qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë e Dibër), Rajoni Qendror (qarqet Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet Elbasan e Korçë), dhe Rajoni Jugperëndimor (qarqet Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).
