Last Updated on 15/06/2025 by adminfjala
Seb Ponari, shqiptari i cili prej vitesh jeton dhe punon në tokën angleze, arriti që të bënte realitet sfidën e tij të “çmendur”! Këtë të diel, pas 36 ditësh vrap nga Anglia, ai arriti që të prekte tokën shqiptare.
I riu shqiptar u prit mes duartrokitjeve në pikën e kalimit kufitar në Han të Hotit. Në një ceremoni mikpritje, Seb shpërtheu në lot kur shkeli tonën nga ku ka rrënjët e tij dhe u shpreh se këtë sfidë të realizuar me sukses ia dedikon babait të tij të ndjerë.
“Babi bën vjetorin e 10 që ka ndërruar jetë dhe thashë do ia dedikoj babit, thash do shkoj nga shtëpia ime te shtëpia e babit. Çdo gjë që i vëmë qëllim jetës nëse arsyeja nuk është e fortë ëndrra bëhet thjesht ëndërr”, tha ai mes lotëve, teksa më tej e përshkroi këtë sfidë si jo të lehtë.
“Aventurë sfiduese, por mbi të gjitha shërbyese. E kam ditur që do jetë vështirë ditën që u nisa, e kam ditur që do ketë rreziqe, por jo kaq rreziqe. Maksimumi kam menduar ndonjë gjarpër rrugës, por jo të përfundoj në një moment që u futa në errësirë në Kroaci, ishte një shkëmb dhe aty e pashë veten në rrezik. Kroaci ka qenë shteti më sfidues”, u shpreh Seb duke shtuar se sfida do të përmbyllet e gjitha ditën e nesërme, me destinacion banesën e fundit ku prehet i ati. m.p.