Alzheimeri është një nga sëmundjet neurodegjenerative më të njohura në botë, por rreth tij qarkullojnë ende shumë keqkuptime. Nga ideja se sëmundja përcaktohet vetëm nga gjenet, deri te besimi se nuk mund të bëhet asgjë pas shfaqjes së simptomave, shumë nga këto bindje nuk përputhen plotësisht me atë që di shkenca sot.
Sëmundja e Alzheimerit është një çrregullim progresiv i trurit që dëmton qelizat nervore dhe me kalimin e kohës ndikon në kujtesë, aftësinë për të menduar, të folur, humor dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme.
Një neurolog shpjegon disa nga mitet më të zakonshme dhe faktet që duhet të dimë.
Historia familjare dhe disa variante gjenetike mund të rrisin rrezikun për zhvillimin e Alzheimerit. Një prej faktorëve më të studiuar është varianti APOE-e4, i cili lidhet me një mundësi më të lartë për shfaqjen e sëmundjes.
Megjithatë, të kesh një të afërm me Alzheimer ose një predispozitë gjenetike nuk do të thotë automatikisht se sëmundja do të zhvillohet. Ekspertët theksojnë se edhe faktorët e stilit të jetesës kanë ndikim të rëndësishëm.
Aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme, stimulimi mendor, shmangia e duhanit dhe kufizimi i alkoolit mund të kontribuojnë në ruajtjen e shëndetit të trurit.
Miti 2: Alzheimeri prek vetëm të moshuarit
Edhe pse shumica e rasteve shfaqen pas moshës 65 vjeç, Alzheimeri mund të prekë edhe persona më të rinj.
Sipas të dhënave, rreth 5–10% e rasteve janë të formës së hershme, që shfaqet para moshës 65 vjeç. Në disa raste të rralla, simptomat mund të shfaqen edhe në moshat 30 ose 40 vjeç.
Kjo formë shpesh lidhet më fort me faktorët gjenetikë dhe mund të ketë një përparim më të shpejtë, por kujdesi ndaj shëndetit të trurit mbetet i rëndësishëm në çdo moshë.
Miti 3: Medikamentet aktuale e kurojnë Alzheimerin
Deri më sot nuk ekziston një kurë që ta eliminojë Alzheimerin. Disa trajtime të reja synojnë proteinat amiloide në tru, të cilat lidhen me zhvillimin e sëmundjes, dhe mund të ngadalësojnë disa procese biologjike.
Megjithatë, këto terapi nuk kanë treguar ende se rikthejnë kujtesën apo ndalojnë plotësisht përparimin e sëmundjes. Gjithashtu, disa prej tyre mund të shoqërohen me efekte anësore serioze, përfshirë ënjtje ose gjakderdhje në tru.
Kërkimet shkencore vijojnë për të kuptuar më mirë mekanizmat e sëmundjes dhe për të gjetur trajtime më efektive.
Miti 4: Kur shfaqen simptomat, nuk mund të bëhet më asgjë
Edhe pse Alzheimeri nuk ka ende një kurë, kjo nuk do të thotë se nuk ka mënyra për të ndihmuar personat e prekur.
Studimet sugjerojnë se disa zakone të shëndetshme mund të ndihmojnë në ruajtjen e funksioneve të trurit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Ndër këto përfshihen:
- aktiviteti fizik i rregullt, që përmirëson qarkullimin e gjakut dhe shëndetin e trurit;
- një dietë e pasur me fruta, perime, peshk, arra, drithëra integrale dhe yndyrna të shëndetshme;
- menaxhimi i stresit kronik;
- ruajtja e kontakteve sociale dhe angazhimi në aktivitete që stimulojnë trurin, si leximi apo mësimi i aftësive të reja.
Këto masa nuk e kurojnë sëmundjen, por mund të ndikojnë pozitivisht në mirëqenien dhe funksionimin e përditshëm të personave që jetojnë me Alzheimer.
Shkenca ende po kërkon përgjigje për një nga sëmundjet më komplekse të trurit, por një gjë është e qartë: Alzheimeri nuk përcaktohet vetëm nga mosha apo gjenet dhe kujdesi për shëndetin e trurit fillon shumë përpara shfaqjes së simptomave./ad
