Last Updated on 30/09/2026 by Anisa
Nga Monada Mehmetaj, Strasburg
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të nisë sot vizitën e saj të gjashtë vjetore në Ballkanin Perëndimor, me ndalesa në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Në qendër të takimeve do të jenë hapat e ardhshëm për avancimin e vendeve të rajonit drejt Bashkimit Evropian, si dhe procesi i integrimit gradual, i mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Vizita do të nisë të mërkurën në Tiranë, ku von der Leyen do të takohet me Presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Të enjten ajo do të udhëtojë në Prishtinë, ku do të zhvillojë takime me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Më pas, presidentja e Komisionit Evropian do të ndalet në Podgoricë, ku do të takohet me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatović, dhe kryeministrin Milojko Spajić. Turneu do të përfundojë të premten në Shkup, me takime me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Gjatë vizitës, von der Leyen do të shohë nga afër edhe disa projekte të financuara nga BE-ja. Në Tiranë ajo do të vizitojë shkollën “Emin Duraku”, e rindërtuar pas dëmtimeve nga tërmeti i vitit 2019. Në Prishtinë do të vizitojë ambientet e reja të Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës, ndërsa në Maqedoninë e Veriut do të shohë projektin e korridorit hekurudhor VIII.
Në Podgoricë, ajo do të marrë pjesë në inaugurimin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit, një strukturë e re operacionale që synon të forcojë menaxhimin e kufijve dhe shkëmbimin e informacionit me vendet anëtare të BE-së dhe Frontex-in.
Gjatë turneut, presidentja e Komisionit Evropian do të mbajë konferenca për shtyp, të cilat do të transmetohen në EBS.
Ndërkohë, për shkak të zgjedhjeve të ardhshme në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi, von der Leyen pritet t’i vizitojë këto dy vende në një moment të mëvonshëm.
Kjo vizitë vjen pas turneve të saj në Ballkanin Perëndimor në vitet 2021, 2022, 2023, 2024 dhe 2025. Von der Leyen ka theksuar vazhdimisht rëndësinë strategjike të rajonit dhe objektivin e përfundimit të procesit të integrimit evropian përmes përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
