Në dritën e rrezeve të diellit pamja e saj ngjan me atë të një perëndeshe të përjetshme. Ecën këmbëzbathur mbi rërën e detit duke flirtuar para objektivit të aparatit fotografik, ndërsa flladi i valëvit flokët. Aura e supermodeles që pushtoi vitet ’90 mbetet ende në portretin e saj, edhe pse në shkurt, mbushi 60 vjeç.
Cindy Crawford ishte pjesë e “Big Five”, pesëshes së super-modeleve që nuk ishin thjesht varëse rrobash për të ekspozuar veshjet; por ishin vetë kultura pop dhe mishërimi i kohës. Në atë epokë pa filtra dhe rrjete sociale, Cindy me imazhin e saj ikonik – me nishanin pranë buzës, transformoi industrinë e modës. Përmasat perfekte trupore, reklama legjendare e Pepsi dhe humori që shfaq në programin e MTV-së “House of Style”, e shndërruan në një figurë të dashur.
Kur një legjendë e bukurisë e lë jetën e pasarelave, njerëzit shohin me lupë të gjitha rrudhat e saj, por për Cindy-n, nëse kur ishte 50 -vjeçare ndihej e frikësuar nga plakja, tani që mbërriti para portës së 60-tave, ankthi i saj u zhduk. “Nuk e kam më atë frikën e madhe, ‘O zot, u bëra 60 vjeç!’. Shoh se kam ende kaq shumë gjëra për të bërë, për të mësuar dhe për t’u rritur. E dua të kaluarën time, por dua që çdo ditë kur zgjohem të kem kuriozitet për jetën dhe të ndihem rehat në lëkurën time.” Së fundmi madje ka nisur të publikojë në rrjetet sociale foto pa tualet, duke ndarë me publikun rrugëtimin e pashmangshëm të moshës. Supermodelja refuzon të mbetet peng nga fiksimi për të mbetur përgjithnjë e re, duke zgjedhur të bëjë paqe me kohën – duke e parë moshën si një fazë të patjetërsueshme të jetës, jo si një sëmundje që duhet zhdukur.
Nëse do të përdornit një fjalë për të përshkruar veten në faza të ndryshme të jetës cilat do të ishin?–
20 vjeç – sy hapur, 40 vjeç – e zënë me punë, 60 vjeç – e përmbushur.
Si një nga gratë që i dha kuptim fjalës “supermodele”, si do ta përkufizonit feminitetin?
Feminiteti është përkujdesje, butësi dhe forcë e brendshme. Të mos kesh frikë të shijosh kënaqësinë e të qenit grua.
Nga fillimi i karrierës suaj e deri tani, a ka ndryshuar me kohën përkufizimi juaj për bukurinë?
Gjithnjë kam pasur një përkufizim më të gjerë për bukurinë. Nga një lule që mezi pret të çelë e deri te venat në duart e gjyshes sime, të gjitha i konsideroj të bukura. Të qenit në industrinë e modës të detyron të shohësh një lloj bukurie specifike, por ajo evoluon me kohën. Përkufizimi im i sotëm për bukurinë është vetëbesimi.
Si ia keni dalë ta ruani këtë origjinalitet gjatë karrierës suaj?
Mendoj se kjo u detyrohet prindërve të mi. Unë e kam parë gjithmonë modelimin si një punë, jo si diçka që më përkufizon si njeri. Kam arritur të ndaj “Cindy Crawford” si imazh para kamerës nga “Cindy” si njeri real. Pastaj kur bëhesh prind, e kupton që nuk je më qendra e universit dhe nuk do të doja që kjo të ishte ndryshe.
Epokën e “BIG 5” çfarë e bëri të përjetshëm, krahasuar me modën e drejtuar nga influencuesit?
Ndihem me fat që kam qenë pjesë e asaj që quhet epoka e supermodeleve. Ishte një moment ku moda, kultura dhe muzika u takuan dhe u gërshetuan me njëra-tjetrën dhe televizioni zbuloi çdo mister të kësaj bote. Industria e drejtuar nga influencuesit ka avantazhe, por nuk lë hapësirë për mister.
Modelet sot konkurrojnë mes tyre dhe janë shpesh rivale, pse mes jush kishte vetëm miqësi?
Ndihem me fat që mund t’i quaj ato gra mikeshat e mia. Mes nesh kishte një motërzim, diçka që të tjerët nuk e kuptojnë dot. Edhe sot, kjo lidhje mbetet e fortë. Ndonjëherë mund të kem qenë xheloze për punët dhe të kem menduar; sa do të doja ta kisha bërë unë atë! Po kurrë nuk kam menduar “Shpresoj që të mos e bëjë”.
Nëse do të mund të ktheheshit pas në vitin 1986, çfarë do t’i thoshit vetes suaj 20-vjeçare?
Mendoj se do t’i thosha: ti i përket botës së modës. Kur erdha për herë të parë në Nju-Jork dhe hyra në këtë industri, gjithçka ishte shumë frikësuese dhe ndihesha si një e huaj.
Së fundmi bota e modës humbi dy stilistë legjendarë, Giorgio Armani dhe Valentino Garavani, a keni ndonjë kujtim që dëshironi të ndani?
Më pëlqente veçanërisht procesi i provës së veshjeve para pasarelës, sepse në atë moment mund të shihje me sytë e tu mënyrën se si punonin këta mjeshtra.
Për cilat vendime që keni marrë kur ishin modele jeni penduar?
Që pozova për revistën Playboy ndërkohë që kisha bëra një set tjetër për një revistë mode. Edhe vendimi për të mos rinovuar kontratën me Revlon dhe për të krijuar markën time të kujdesit ndaj lëkurës, ishte një hap me rrezik të madh.
Emri i markës tuaj “Meaningful Beauty” është ntrigues, si do ta përkufizonit bukurinë kuptimplotë?
Që në fillim dëshiroja që çdo produkt të kishte një kuptim dhe njëkohësisht të përçonte një koncept më të gjerë: megjithëse “bukuria” mund të tingëllojë sipërfaqësore, ne e dimë që kur një grua ndihet e bukur, ajo bëhet shumë më e sigurt në jetën e saj – Kjo për mua është bukuria kuptimplotë.
Në një industri të fiksuar pas anti-plakjes, si e përkufizoni konceptin e moshës?
Kjo është një sfidë e madhe, sepse tregu kryesor ka promovuar gjithmonë anti-plakjen. Edhe pse do të doja që të ishte e vërtetë, e shoh se nuk është reale! Nëse kemi fatin e mirë, të gjithë ne plakemi, ndaj unë kam zgjedhur ta përqafoj këtë realitet. Për festën e ditëlindjes, nuk doja të thosha gjëra sikur nuk isha 60 vjeçe, edhe pse mund të ndihesha si 40. 60-të vjeç është një përvjetor krejt i ri që nënkupton se ne jemi në këtë moshë jo sepse dëshirojmë, por sepse nëse e pranojmë kohën duhet të jemi pjesë edhe e numrave të saj.
Ju keni qenë e përkushtuar në filantropi për shkak të vëllait tuaj, çfarë ju ka mësuar kjo përvojë?
Pas vdekjes së Jeff, pashë se si mbledhja e fondeve dhe kontributit, i dha jetës së vëllait tim një tjetër kuptim. Kur fillova të fitoja para si modele në spitalin ku ai u kurua, donacionet shkuan për kërkime shkencor, por edhe për sigurimin e krevateve për prindërit që qëndronin pranë fëmijëve në spital. Kam pasur fatin që gjatë këtyre viteve të bashkëpunoj me marka që i kushtojnë rëndësi bamirësisë./mxh
